Kurti thotë se vizita e shefit të CIA-s ishte një mundësi fort e mirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se vizita e shefit të CIA-s, William Burns, ishte një mundësi fort e mirë për të biseduar një gamë të gjerë temash.

Pos kësaj, në një postim në Facebook, i pari i qeverisë tutje tha se me vizitën e tij avancohet bashkëpunimi strategjik, në shërbim të paqes demokratike dhe sigurisë euro-atlantike në rajon e më gjerë.

“Kosova është shembull suksesi i demokracisë zhvillimore, ku anti-korrupsioni është bërë rritje ekonomike kurse qeverisja e mirë është bërë mirëqenie shoqërore. E njoftova z. Burns me progresin e vendit tonë, të cilin e ruajmë dhe mbrojmë teksa e ngrisim më tej dhe shtojmë. Qeveria e Republikës së Kosovës gjithashtu po i menaxhon sfidat e brendshme të sigurisë suksesshëm, e drejtuar nga forca e ligjit të drejtë me institucione e mekanizma të shtetit tonë demokratik. Në tri vitet e fundit, gjersa Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33% e buxheti shtetëror për 35%, për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes, i kemi dedikuar 11.1% (apo 1/9) e buxhetit vjetor. Çlirimi e pavarësia e vendit tonë, mbështetja e përhershme amerikane në aq shumë fusha, ishin e janë gjë e drejtë dhe e duhur që ia ka vlejtur fort për të gjithë”, ka shkruar Kurti.

Ai thotë se në takim shprehu edhe përkushtimin e pareshtur drejt vlerave e parimeve të përbashkëta që ndërlidhen me lirinë dhe demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe orientimet e palëkundura drejt anëtarësimit në NATO dhe BE. E falënderoj Drejtorin e CIA-s, William Burns, për mbështetjen e vazhdueshme dhe këtë vizitë historike në vendin tonë.

Rreth diskutimit në takim njoftoi edhe qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media.