Sindikata e Minatorëve të Trepçës tregon arsyet për largimin nga puna të disa prej tyre, thotë se s’ka të bëj me grevën e tyre

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar pas largimit nga puna të disa prej minatorëve të Trepçës.

Përmes një postimi në Facebook, kjo sindikatë ka thënë se shumica e minatorëve të apostrofuar me iniciale janë minatorë që kohë më parë veç se e kanë dhënë dorëheqjen e tyre nga puna në ndërmarrjen e Trepça Sh.A, e një pjesë tjetër për shkak të procedurave penale që janë inicuar kundrejt tyre.

“Ju sigurojm se ndërprerja e marrdhënies së punës për këta përsona nuk ka të bëjë fare me reagimin- shprehjen e paknaqësive të shprehur përmes protestës apo ndonjë hakmarrje në drejtim me paknaqësit tona. Menaxhmenti thjeshtë e ka zyrtarizuar dorëheqjen e atyre, të cilët veç se janë larguar me dëshirën e tyre nga ndërmarrja qoftë duke emigruar apo punisimit të tyre dikund tjeter, apo edhe ka zbatuar procedurat ligjore për përsonat që janë në ndjekje penale”, thuhet në njoftimin e Sindikatës.

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka thënë se vazhdimisht përcjell secilin hap të ndërmarrë nga institucioni në raport me secilin minatorë dhe të drejtat e tyre.

“Sindikata gjatë angazhimit të saj pa kurrfarë kompromisi afirmon dhe mbron të drejtat e ligjshme të secilit minatorë dhe do ti përdor çdo her e në çdo kohë të gjithë mekanizmat ligjor për mbrojtjen e tyre. Pra Sindikata ka qëndruar dhe qëndron parimore dhe e arsyeshme duke e kuptuar rolin dhe rëndësin që ka menaxhmenti në ndërmarrje, duke e bërë të qartë se për procedurat dhe hapat ligjor që ajo ndërmerr ne do ti respektojm çdo herë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.