Arta Berisha jep dorëheqje nga Bordi i RTK-së: E paparanueshme që shkelësit e standardeve profesionale të kalojnë pa u ndëshkuar


Pas dorëheqjes së kryetarit të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, Besnik Boletini, dorëheqje ka dhënë edhe anëtarja e këtij bordi, Arta Berisha.

Berisha ka thënë se ka dhënë dorëheqje nga funksioni i anëtares së bordit të RTK-së pas mbledhjes së bordit të mbajtur sot.

“Për mua ka qenë përgjegjësi e madhe dhe nder të jap kontributin tim profesional në përpjekjen që transmetuesin publik ta avancojmë drejt një shtëpie informative në shërbim të së vërtetës, edukimit dhe emancipimit shoqëror. Falënderoj Kuvendin e Republikës së Kosovës për besimin e dhënë për të qenë pjesë e autoritetit më të lartë drejtues të RTK-së”, ka shkruar Berisha në Facebook.

Për Berishën ka qenë e papranueshme që shkelësit e standardeve profesionale të kalojnë pa u ndëshkuar sipas rregulloreve të RTK-së.

“Duke qenë mbështetëse e standardeve profesionale në gazetari, të cilat i kam respektuar maksimalisht qoftë si gazetare aktive, qoftë si anëtare e Bordit të RTK-së, për mua ka qenë e paparanueshme që shkelësit e standardeve profesionale të kalojnë pa u ndëshkuar sipas rregulloreve të RTK-së” – ka thënë Berisha.

Ashtu si dorëheqja e kryetarit Boletini, edhe dorëheqja e Berishës vjen pas publikimit në portalin rtklive.com të një raporti të marrë nga media boshnjake “Slobodna Bosna”, i cili etiketonte dy portale kosovare.

Lidhur me publikimin e artikullit të mediumit nga Bosnja e Hercegovina në portalin rtklive.com dhe më pas në edicionin e lajmeve të RTK-së ka pasur reagime të shumta.

Për publikimin e artikullit të mediumit boshnjak në portalin rtklive.com, Berisha duke u mbështetur në raportin e komisionit të RTK-së që e ka trajtuar këtë rast, thotë se u shkelën standardet e gazetarisë dhe bordi i RTK-së u gënjye.

“Raporti i Komisionit të RTK-së është i qartë dhe tregon se në rastin e fundit – botimin e një teksti të paverifikuar dhe të plasuar fillimisht nga një medium tjetër – janë shkelur standardet profesionale të gazetarisë, për më keq: bordi është gënjyer. Kjo për mua është e patolerueshme. Shpresoj se praktika e mosndëshkimit të mos rikthehet në RTK”, ka theksuar Berisha.

Më herët gjatë ditës, edhe kryetari i Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, Besnik Boletini, njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit dhe anëtarit të bordit të RTK-së.