Dy aksidente trafiku me fatalitet kanë ndodhur në më pak se 24 orë. Njëri aksident ka ndodhur në Suharekë, e tjetri në Gjilan.
Në Suharekë, dy vetura janë përfshirë në një aksident mes vete, ku si pasojë ka vdekur njëri nga drejtuesit e veturave.
“AKSIDENT TRAFIKU ME FATALITET – Ura e Topliqanit, Suharekë/ 15.08.2024-06:15. Dy vetura me targa vendore, me drejtues meshkuj kosovar janë përfshirë në aksident trafiku në mes vete, ku si pasojë e aksidentit njëri nga drejtuesit e veturave ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion, ndërsa është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Aksidenti tjetër ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:00 në rrugën “Idriz Seferi” në Gjilan, ku një veturë nga pakujdesia ka goditur një këmbësor.
“AKSIDENT TRAFIKU ME FATALITET – Rr. Idriz Seferi, Gjilan / 15.08.2024-20:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti duke drejtuar automjetin dyshohet se nga pakujdesia në vendkalim të këmbësorëve ka goditur këmbësorin viktimë mashkull kosovar të cilit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore. Viktima pasi është dërguar në QKUK ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.