Ende nuk ka datë të caktuar për zgjedhjet parlamentare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me 31 korrik 2024 ka zhvilluar një takim me partitë politike, ku ua ka prezantuar krerëve të partive katër data si të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve nacionale, përkatësisht 26 janarin, 2 shkurtin, 9 shkurtin dhe 16 shkurtin 2025.

Tre partitë opozitare (PDK, LDK, AAK) kanë propozuar 26 janarin 2025, si datë të mundshme për zgjedhjet e reja, ndërsa partia në pushtet (VV) nuk ishte pjesëmarrëse në atë takim. Para dy ditësh, shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se ajo në takim ka prezantuar dy data atë të 9 shkurtit dhe 16 shkurtit 2025.

Se cila do të jetë data e zgjedhur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kjo ende nuk dihet, por partitë opozitare në vend po thonë se Osmani duhet te vendos për shumicën.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Isak Shabani, në një prononcim për Front Online thotë se më e arsyeshme do ishte data e zgjedhur nga opozita për mbajtjen e zgjedhjeve, përkatësisht 26 janari 2025.

“Ajo i ka marrë disa data, por do të ishte shumë më e arsyeshme kur tri partitë e mëdha opozitare që e kanë dhënë datën 26, por varet nga presidentja se cila do të jetë data”, deklaron Shabani.

Shabani thotë se PDK ka disa muaj që kërkon mbajtën e zgjedhjeve për ta ndaluar punën e Qeverisë që është në dëm të Kosovës.

“VV-ja po del me datë tjetër sepse sipas tyre ka disa arsye pse me vazhduar më tutje. Ne që 8 muaj po kërkojmë shkurtimin e afatizimit të këtyre zgjedhjeve që mos të vazhdojë kjo Qeveri më se është në dëm të Kosovës. PDK-ja ka kohë që është super e gatshme për zgjedhje”, u shpreh ai.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka vlerësuar se data e propozuar nga shumica e partive do duhej të jetë e përzgjedhur nga presidentja Vjosa Osmani.

Ajo tha për Front Online se VV po propozon datë fiktive nga mediat e jo në takime.

“Me shumicë ish dashur të vendoset me atë datën që përafërsisht është caktuar nga opozita si data të mundshme. VV s’ka qenë fare në takim se Kurti, e ka bojkotuar presidenten edhe pse ka qenë në Kosovë. Presidentes i takon që ta caktojnë brenda afateve kohore dhe afateve Kushtetuese”, shprehet Kadriaj.

Deputetja Kadrijaj e ka theksuar se AAK është e gatshme për zgjedhje për çfarëdo date të caktuar.

“AAK është e gatshme kurdo që do të mbahen zgjedhjet cilado qoftë data tashmë e ka dhënë datën AAK më 26 janar”, deklaron Kadrijaj.

Nga zyra e presidentes Osmani nuk kanë kthyer përgjigje për Front Online se kur do ta caktojnë datën e zgjedhjeve parlamentare. /GazetaStop/