Pas plagosjes së gruas sot në orët e mëngjesit Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar të pandehurin I.A, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Dhunë në familje’,
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se më datë 04.08.2024, Prokurori i Shtetit ka ngritur Aktakuzë me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.A.
“Po ashtu, më datë 04.08.2024, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – dega në Fushë Kosovës, është mbajtur shqyrtimi fillestar në këtë çështje penale, ku Prokurori i Shtetit gjatë kësaj seance, duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore të të pandehurit si dhe faktin se i pandehuri ka edhe një adresë tjetër të vendbanimit, ka propozuar masën e arrestit shtëpiak”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se gjykata ka refuzuar propozimin e Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, ashtu që ndaj të pandehurit I.A, është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.
“Ndërkaq, sot, më datë 06.08.2024, i pandehuri I.A, është arrestuar në fshatin Bresje, në Fushë Kosovë, me dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’ nga neni 173 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ “, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, sipas njoftimit në vendin e ngjarjes ka dal Prokurori i Shtetit, me qëllim të sigurimit të provave materiale, si dhe, ka vizituar të dëmtuarën e rastit, e cila është në trajtim në SHSKUK në Prishtinë, ndërsa ndaj të pandehurit IA, ka lëshuar Aktvendim mbi ndalim.
Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë duke punuar intensivisht me qëllim të ndriçimit të rrethanave të cilat i kanë paraprirë kryerjes së këtyre veprave penale.