Bordi Mbikëqyrës i Ndërmarrjes “Trepça” njofton se ka liruar nga detyra kryeshefin ekzekutiv, Bashkim Kurti, ndërkaq ka emëruar ushtrues detyre Faton Ahmeti.
Në njoftimin për media thuhet se ndërmarrja Trepça ka qenë e përkushtuar në përzgjedhjen e kandidatit më të përgatitur dhe profesional për të udhëhequr ndërmarrjen, duke respektuar kushtet dhe kriteret e përshkruara në shpalljen publike.
“Megjithatë, Bordi Mbikëqyrës është i prirë të respektojë vendimet e gjyqësorit dhe si rrjedhojë në takimin e mbajtur më datë 02.08.2024, bazuar në Vendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë C.nr.661/24 ka anuluar e Vendimin e datës 11.01.2024 për përzgjedhjen e Kryeshefit Ekzekutiv.
Me këtë rast, ka liruar nga detyra Kryeshefin Ekzekutiv, Bashkim Kurti.
Për më tepër, në këtë takim ka analizuar situatën në dhe rreth ndërmarrjes Trepça Sh.A. dhe njëherësh ka emëruar Faton Ahmetin U.D Kryeshef Ekzekutiv nga pozita e që ishte duke ushtruar si Zëvendes Kryeshef Ekzekutiv”, thuhet tutje.
Bordi Mbikëqyrësi i Ndërmarrjes Trepça Sh.A. ka falënderuar Bashkim Kurtin për angazhimin dhe kontributin e dhënë përgjatë kësaj periudhe shumë të rëndësishme për ndërmarrjen Trepça Sh.A.