Presidenca e Kosovës ka thënë se takimi i thirrur nga presidentja Vjosa Osmani të mërkurën për të diskutuar datën e zgjedhjeve ka qenë vetëm për kryetarët e partive. Në takimin që u mbajt në Presidencë, mungon kryeministri Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje. Nga Qeveria kanë lënë të kuptohet se kanë propozuar kryeparlamentarin Glauk Konjufca të marrë pjesë në këtë takim pasi kryeministri Kurti është në një drekë me ambasadorët që ishte aranzhuar para tre jave.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka konsideruar se emri i Konjufcës do të duhej të ishte i pranueshëm. Ka shtuar se kryeministri Kurti është i gatshëm të marrë pjesë në këto takime në një orar më të përshtatshëm.
“Kryeministri po merr pjesë në një drekë me 21 ambasadorë të akredituar në Kosovë, ku është i ftuar si mysafir nderi. Dreka është caktuar me 10 korrik. Konfirmimi nga ana e kryeministrit për këtë drekë është bërë para tre jave. Në pamundësi për të marrë pjesë në orarin e propozuar, kryeministri Kurti ka sugjeruar që LV të përfaqësohet nga nënkryetari i parë i saj, Glauk Konjufca. Gjë që konsiderojmë që do të duhej të ishte e pranueshme. Kryeministri Kurti është i gatshëm të marrë pjesë në çdo takim të ardhshëm në një ditë dhe orë të përshtatshme”, ka thënë Kryeziu në një përgjigje për KOHËN.
Në ftesën dërguar liderëve të partive politike nga Presidenca për takimin e sotëm thuhet se “në orën 14:00, presidentja Vjosa Osmani do të mbajë takim konsultativ me kryetarët e partive politike…”.