Gjykata Themelore në Prishtinë, edhe në rigjykim të miturin e parë e ka dënuar me 10 vjet burgim kurse të miturin e dytë me 9 vjet burgim për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë.
Aktgjykimi ndaj dy të miturve u shpall të mërkurën nga gjykatësi Adnan Isufi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndryshe, në gjykimin e parë, Departamenti për të Mitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, më 23 maj 2024 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj dy të miturve lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë. I mituri i parë u dënua me 10 vjet burgim, kurse i mituri i dytë u dënua me 9 vjet burgim.
Por, Gjykata e Apelit më 17 korrik 2024 e kishte kthyer rastin në rigjykim.
“Betimi për Drejtësi” ekskluzivisht kishte raportuar për dosjen e Prokurorisë ndaj dy të pandehurve për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë.
Më 20 janar 2024, 18-vjeçari, L.F., kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Prokuroria, rastin fillimisht e kishte iniciuar si “Vrasje në tentativë”, e më pas është ricilësuar në “Vrasje e rëndë”. Përleshja mes viktimës dhe dy të miturve kishte ndodhur më 15 janar.
Sipas Prokurorisë, dy të miturit e kishin goditur 18-vjeçarin me shkop, duke shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima ishte dërguar në QKUK.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 25 mars 2024 kishte përpiluar propozimin për shqiptimin e dënimit me burgim për të mitur, ndaj dy të miturve për veprën penale “Vrasje rëndë” nga neni 173, par.1, pika.1.4 dhe 1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/