Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka ndarë një video të kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq, duke thënë se Serbia nuk nënshkruan asnjë marrëveshje në të cilën duhet pranuar Kosovën si shtet të pavarur.
Me fjalë të tjera, sipas Bislimit, Vyçeviqi ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të bindet se për Serbinë nuk ka Marrëveshje Bazë.
“Kryeministri i Serbisë po i pyet Përfaqësuesit e Lartë të BE-së: Çfarë tjetër nevojitet për t’ju bindur se për Serbinë nuk ka Marrëveshje Bazë? Se pjesëmarrja e tyre në dialog është vetëm për të shmangur sanksionet eventuale? Sa drafte të tjera të planeve të sekuencimit na duhen para se ta zbulojnë të vërtetën të gjitha shteteve anëtare”, ka shkruar ai.
Në videon e publikuar në platformën “X” nga Bislimi, Vuçeviq dëgjohet duke thënë “Republika e Serbisë nuk e ka pranuar planin franko-gjerman. Sërish po ua them, nuk e kemi pranuar planin franko-gjerman. Nuk e kemi nënshkruar dhe kemi dhënë deklaratë të qartë përcaktuese, e kemi thënë shumë qartazi se çfarëdo gjëje që nënkupton të ashtuquajturën Kosovë të pavarur është e papranueshme”.