Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se për rastin e Faton Hajrizit, janë duke i trajtuar dy dikastere qeveritare, Ajo e Punëve të Brendshme, përkatësisht e Drejtësisë, raporton EO.
Ai ka thënë se nuk mund të merret edhe me punën e ministrit kur është pyetur nëse autoritetet kosovare e kanë konfirmuar vrasjen e Faton Hajrizit në Serbi.
“Dy ministri tona, të Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë e trajtojnë këtë rast. Nuk kam nevojë ta bëjë edhe punën e ministrit, besoni kam shumë punë si kryeministër”, ka thënë Kurti gjatë një paraqitje para mediave në Qendrën Klinike Universitare (QKUK).
Kujtojmë se dje Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha të hënën se Serbia ka dërguar shenjat e gishtërinjve të personit të vrarë më Serbi, si i dyshuar për vrasjen e policit në kufi.
Sipas njoftimit të MPJD-së, ato shenja “janë krahasuar me shenjat e gishtërinjve të Faton Hajrizit dhe të njëjtat janë përputhur”.
Faton Hajrizi u arratis nga burgu i Smrekonicës në Kosovë më 6 korrik të këtij viti dhe rreth dy javë më vonë, të enjten e 18 korrikut, ai dyshohet se e vrau një oficer policor të Serbisë dhe e plagosi një tjetër në Lloznicë. Një ditë më vonë, ai u vra në afërsi të Lloznicës nga Policia serbe.