Qeveria e Kosovës nuk e ka kontestuar në gjykatat vendore disfatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar kundër kompanisë amerikane ‘Contour Global’, ndonëse për raste të tjera ka ndërhyrë në drejtësi në përpjekje për të zhbërë vendimet e Tribunalit të Abitrazhit.
Qeveria e Kosovës ka vendosur sot të nxjerrë vendim për realizimin e pagesës së dëmshpërblimit ndaj kompanisë amerikane ‘Contour Global’ pasi humbi arbitrazhin në tetor të vitit 2023, raporton “Paparaci”.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, e propozoi sot në mbledhjen e Qeverisë vendimin për ndarjen e mjeteve në shumë prej 21 milionë euro për pagesën.
Në fund të vitit 2017, ‘Contour Global’ kishte nënshkruar marrëveshje me Qeverinë e Kosovës për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re.
Në rast të mospërfundimit të këtyre procedurave në një afat të caktuar kohor, me kontratë ishin paraparë ndëshkime financiare për palën, e cila nuk i përmbushë obligimet.
Kësisoj, pas zvarritjes së kontratës dhe kundërshtimit nga ambientalistët, kompania amerikane u tërhoq nga ndërtimi i termocentralit në muajin mars të vitit 2020. Disa ditë më vonë, njoftoi se e ka dërguar Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për mosrespektim të kontratës dhe e ka fituar rastin.
Në një rast tjetër të humbur në Arbitrazhin Ndërkombëtar, Ministria e Drejtësisë ka më shumë se një vit që përmes ndërhyrjes në drejtësi përpiqet të zhbëjë një vendim të Tribunalit të Arbitrazhit.
Bëhet fjalë për rastin Dardafon-Telekomi, të cilin subjekti Dardafon e ka fituar në Arbitrazhin Ndërkombëtar kundër ndërmarrjes publike të telefonisë mobile.
Duke e kontestuar vendimin e Arbitrazhit në këtë rast, Ministria e Drejtësisë në fillim të këtij viti e ka suspenduar Përmbaruesin Privat, Irfan Kërçagu, i cili bllokoi llogaritë e Telekomit të Kosovës.
Kërçagu, i caktuar Përmbarues Privat për lëndën përmbarimore Dardafon-Telekomi, i kishte bllokuar llogaritë e Telekomit pas vendimit të Gjykatës Komerciale, gjykatë në të cilën ishte kontestuar vendimi i Arbitrazhit.
Gjykata Komerciale, në një aktvendim të nxjerrë më 16 shkurt të këtij viti, e kishte detyruar Telekomin e Kosovës që t`ia paguajë “Dardafon”-it shumën prej 5,732,871.34 euro. Ky obligim financiar gjykata kishte urdhëruar që të kryhet në afat prej 7 ditësh nën kërcënim të përmbarimit me dhunë.
Megjithatë, rreth tri javë pas urdhrit të përmbaruesit Kërçagu për bllokimin e llogarive, kishte ndërhyrë Ministria e Drejtësisë.
Ndërhyrja e Ministrisë së Drejtësisë në këtë proces kishte ardhur edhe pas kërkesës së Telekomit të Kosovës për shkarkimin e përmbaruesit Kërçagu nga ky proces.
Betejës së gjatë gjyqësore mes Dardafonit dhe Telekomit i kishte ardhur fundi në shkurt të këtij viti.
Ky vendim i fundit i shkallës së parë të Gjykatës Komerciale erdhi pasi Dhoma e shkallës së dytë për herë të tretë e kishte kthyer në rigjykim vendimin paraprak të dhomave të shkallës së parë të cilat kishin vendosur lidhur me ekzekutimin e vendimit përfundimtar të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit të vitit 2016. /Paparaci.com