Java në vazhdim do të shënojë valën e tretë të të nxehtit afrikan për këtë vit, e shoqëruar me mot shumë më të nxehtë se mesatarja dhe me temperatura maksimale që në disa zona do të kalojnë edhe 40 gradë Celsius.
Kështu ka bërë të ditur Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), duke bërë të ditur se ky mot do të zgjerohet tutje në regjion e më gjerë, me bllokimin e lartë që do të forcohet gradualisht nga rajoni i Mesdheut në Evropën Qendrore dhe Lindore drejt mesit të korrikut.
Në lidhje me këto temperatura për Klankosova.tv ka folur parashikuesi Meteorologjik Aeronautik në ASHNA, Sherif Gosalci.
Ai deklaroi se bazuar edhe në paralajmërimet e Organizatës Botërore të Meteorologjisë, viti 2024 pritet të jetë viti më i nxehtë prej kur kanë filluar matjet diku në mesin e shekullit të 19-të.
“Përfundimi i 6 mujorit të parë edhe zyrtarisht ka konfirmuar në nivel global paralajmërimet për vitin 2024 si vitin më të nxehtë ndonjëherë, por edhe në nivelin regjional e lokal poashtu të dhënat nga matjet e konfirmojnë këtë fakt”, është shprehur Gosalci.
Parashikuesi meteorlogjik gjithashtu u shpreh se mesataret e temperaturave do të shënojnë rekorde, por sipas tij, nuk përjashtohen edhe thyerje rekordesh në temperaturat ekstreme maksimale që mund të tejkalojnë 40 gradë Celsius edhe në regjionin tonë.
“ Tashmë këtyre ditëve veçse jemi futur në valën e tretë të të nxehtit afrikan që ka përfshirë Gadishullin Ballkanik dhe Evropën Juglindore, një anomali që vërteton se ky vit, pas procesit të El-Ninjo-s nga viti i kaluar në Oqeanin Paqësor, do të shënojë rekordet që do të mbahen mend nga njerëzimi”, tha ai.
Ndryshimet e vazhdueshme të motit dhe verërat çdo vit e më të nxehta, mund të jenë edhe si shkak i ndryshimeve klimatike.
E se tashmë janë të dukshme ndikimet e këtyre ndryshimeve në botë dhe kjo është e shprehur edhe në Evropë dhe rrjedhimisht në Kosovë, për Klankosova.tv e konfirmoi edhe Sami Stagova, menaxher Programi në OJQ-në “Gjethi”.
Ai tha se pa marrë parasysh se deri në çfarë niveli vendi ynë ka kontribuar në shkaktimin e ndryshimeve klimatike, ndikimi i këtyre ndryshimeve është më i madh te vendet e varfra dhe ato në zhvillim sikur Kosova, për arsyet e njëjta të mospërgatitjes dhe pafuqisë për t’u përballur me to.
“Tashmë janë të dukshme ndikimet e ndryshimeve klimatike në botë dhe kjo është e shprehur edhe në Evropë dhe rrjedhimisht në Kosovë. Këto ndikime kanë filluar të japin efekte kudo në botë sipas karakteristikave të ndryshme lidhur me lokacionin gjeografik, përderisa në vendin tonë kjo është duke u shprehur përmes ndryshimit të modeleve të motit që si rezultat kanë dimra më të butë dhe shpeshherë edhe verëra më të lagështa”.
“Krahas kësaj, modelet gjithashtu tregojnë variacione të mëdha të motit dhe temperaturave për kohë shumë të shkurtë të cilat po përcillet me ekstreme si shira të rrëmbyeshëm dhe jo të zakonshëm gjatë dimrit, por edhe verës të cilët po shkaktojnë dëme të mëdha materiale në infrastrukturën tonë të banimit, publike dhe bujqësore, zhvillime të cilat janë kryesisht joformale apo të planifikuara jo në mënyrë të integruar; si dhe me thatësira të tejzgjatura të cilat seriozisht po e cenojnë vendin tonë me më së paku ujë për kokë banori në rajon dhe rrjedhimisht shërbimin tonë parcial të furnizimit me ujë dhe sanitacionit”, tha ai.
Stagova tha gjithashtu se ndryshimet klimatike vlerësohet të jenë shkaktari ndër më kryesorët për këto temperatura të larta të cilat sipas të gjitha gjasave do ta bëjnë vitin 2024 si vitin më të ngrohtë prej se kanë filluar regjistrimet.
“Në shkurt 2024, Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus raportoi se temperatura mesatare globale për 12 muajt e mëparshëm kishte tejkaluar pragun prej 1.5 gradë celsius mbi nivelet para-industriale. Në nivel global, viti 2023 ishte viti më i ngrohtë i regjistruar”.
“Një raport i fundit nga Agjencia Evropiane e Mjedisit vuri në dukje se Evropa është kontinenti me ngrohjen më të shpejtë, duke u ngrohur me rreth dyfishin e normës së mesatares globale. Në skenarin më të mirë, ku ngrohja globale është e kufizuar në 1.5 gradë mbi nivelet para-industriale, Evropa do të duhet të mësojë të jetojë me një klimë që është 3 gradë më e ngrohtë, dhe rrjedhimisht të përballojë në mënyrë eksponenciale më shumë valë të nxehti dhe ekstreme të tjera të motit”, u shpreh ai në përgjigjen për Klankosova.tv.
Ai gjithashtu tha se sipas specifikave natyrore të vendit tonë, temperaturat e larta për një kohë të gjatë dhe thatësirat e shkaktuara nga to do të ndikojnë së pari në ekosistemet e ujërave të pastra të cilët edhe pse të kufizuar për shkak të sasisë së vogël të ujit dhe burimeve, dhe të degraduar nga shkatërrimet dhe ndotjet (hidrocentralet, ndotjet nga ujërat e zeza, industritë, mbeturinat, etj.) vazhdojnë të jenë, siç tha ai, furnizuesit kryesor me ujë dhe sanitacion për qytetarët e Kosovës dhe botën bimore dhe shtazore që jeton aty.
“Përveç furnizimit me ujë të pijes, shërbim i cili është jo i kompletuar në Kosovë dhe në të njëjtën kohë i cenueshëm kryesisht për shkak të menaxhimit jo të mirë që si rrjedhojë ka humbje të ujit në nivel rreth 60%, dhe shërbim në të cilin kemi filluar ti ndjejmë efektet e para në vitet e fundit përmes kufizimeve në sasi të ujit; aftësia e pastrimit të ujit nga këto ekosisteme gjithashtu do të ndikohet nga ulja e sasisë së tij e kombinuar me reduktimin e kapacitetit dhe ndotjen e lartpërmendur”.
“Përtej uljes së sasisë së ujit për pije, do të ndikohen negativisht edhe zhvillimi i kulturave bujqësore të cilat kanë jetike ujitjen përmes hidrosistemeve dhe kanaleve tradicionale të ujitjes të cilat potencialisht do të kenë ujë më të kufizuar. Në këtë mes duhet të përmendim edhe hapësirat publike dhe të gjelbra si vende të vetme ku popullsia urbane mundë të gjejë freski nga këto temperatura të larta, të cilat do të mundë të pësojnë gjithashtu nga mungesa e ujit dhe temperaturat e larta”, tha Stagova.
Ai për Klankosova.tv gjithashtu u shpreh se duhet filluar puna rreth adaptimit ndaj ndryshimeve klimatike.
“Si prioritet nga të gjithë duhet trajtuar furnizimi me ujë të pijes. Ky shërbim duhet të furnizojë të gjithë klientët dhe në të njëjtën kohë duhet punuar shumë më tepër për një menaxhim më të mirë i cili është edhe hallka më e dobët e këtij zingjiri drejt një qëllimi për ulje të sasisë së humbjeve të ujit. Krahas kësaj, duhet zhvilluar programe në nivel vendi për shfrytëzim më racional të ujit në rastin ku aktualisht Kosova sipas vlerësimeve shfrytëzon më shumë ujë të pijes për kokë banori se vendet perëndimore. Kjo sasi e madhe e ujit të shfrytëzuar përfshin edhe larjen e oborreve/ rrugëve, makinave dhe ujitjen e kopshteve”.
“Shfrytëzimi i ujit për ujitje të kulturave bujqësore duhet të jetë gjithashtu prioritet ku mundë të ndikohet. Dhe në këtë mes hyn edhe ujitja e hapësirave publike. Përveç shfrytëzimit të ujit të burimeve natyre/nëntokësore dhe lumenjve, duhet të fillojmë të aplikojmë edhe shfrytëzimit e ujit atmosferik për ujitje të bujqësisë ekstensive por edhe të kopshteve private dhe hapësirave publike”, tha ai.
Sipas tij, edhe sa i pwrket ujit, Kosova duhet të punojë në adaptimin ndaj ndikimeve të vërshimeve.