Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), ka bërë të ditur se kjo javë do të shënojë valën e tretë të të nxehtit afrikan për këtë vit, e shoqëruar me mot shumë më të ngrohtë se mesatarja dhe me temperatura maksimale që në disa zona në regjion, do të kalojnë edhe 40 gradë Celsius.
ASHNA njofton se kjo valë e nxehtë dhe relativisht e gjatë, do të intensifikohet do të vazhdojë edhe në fundjavë.
Temperaturat maksimale në vendin tonë do të arrijnë në mes 34°C – 39°C, ndërsa minimalet do të luhaten ndërmjet 18°C – 23°C.
Ndërkaq, për sot nga Instituti Hidrometeorologjik bëjnë të ditur se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 29-34 gradë Celsius.
Do të fryjë erë nga drejtimi jugperëndimit me shpejtësi 1-2m/s.
Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) përmes një njoftimi për media ka dhënë disa këshilla dhe rekomandime për t’u mbrojtur nga nxehtësia dhe temperaturat e larta.