Ministria e Punëve të Brendshme sot ka lansuar fushatën ndërgjegjësuese kundër të shtënave festive “Festo me zemër, jo me armë”. Hapjen e kësaj ceremonie e bëri zëvendësministër i Punëve të Brendshme dhe njëherit koordinator kombëtar për kontrollin e armëve të vogla, të lehta dhe eksplozivit, Blerim Gashani.
Zëvendësministri Gashani shprehu vendosmërinë për të luftuar përdorimin e armëve në momente festash për të përmirësuar sigurinë në vendin tonë dhe theksoi se statistikat tregojnë se armët pa leje kanë shkaktuar një numër të konsiderueshëm vrasjesh, ku Policia e Republikës së Kosovës konfiskon rregullisht 1500 lloje të ndryshme të armëve pa leje në bazë vjetore.
Gjithashtu, Gashani theksoi se fushata ka për qëllim ngritjen e vetëdijes kolektive dhe ndërgjegjësimin lidhur me pasojat nga keqpërdorimi i armëve të zjarrit dhe rreziqet që sjellin ato dhe se misioni dhe angazhimi ditor i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe agjencive të saj vartëse është në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët të avancojmë nivelin e sigurisë në Republikën e Kosovës dhe njëkohësisht të përmirësojmë cilësinë e jetës për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Gashani tha se zotërimi i paligjshëm i armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta paraqiten në rënie çdo vit, mirëpo ende shfaqen si kërcënim për jetën njerëzore dhe rendin e sigurinë publike në Kosovë dhe se perceptimi i sigurisë nga qytetarët e Republikës së Kosovës ka ndryshuar pozitivisht duke u zotuar se MPB ka gatishmërinë që të punojmë tutje e së bashku për ta bërë vendin tonë një vend më të sigurt për të gjithë qytetarët tanë.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës njëherit dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarc ku në një fjalë rasti shprehu qëndrimin e saj në lidhje me përdorimin e armëve gjatë festave, duke theksuar se armët nuk duhet të jenë pjesë e këtyre momenteve të gëzimit.
Ajo theksoi se përdorimi i armëve është një problem i gjerë që prek jo vetëm shoqërinë tonë, por edhe shoqëri të tjera në botë, veçanërisht gjatë kohërave festive kur duhet të festojmë dhe të jemi të lumtur.
Në Republikën e Kosovës, të shtënat me armë zjarri në ahengje dhe festime janë të ndaluara dhe përbëjnë një veprim penal që ndëshkohet me ligj. Gjatë vitit 2023, sipas të dhënave të publikuara, rastet e përdorimit të armëve gjatë festave familjare kanë rritur me 17.60%, duke regjistruar 25 raste më shumë sesa vitin e kaluar. Në të njëjtën periudhë, janë raportuar gjithsej 142 raste të shtënave me armë zjarri në ahengje dhe festa.