Jadon Sancho e ka përgëzuar Bukayo Sakan për penalltinë e realizuar në Kampionatin Evropian ndaj Zvicrës të shtunën mbrëma.
Sancho nuk ishte pjesë e listës së selektorit Gareth Southgate, por i është gëzuar shumë paraqitjes së sulmuesit të Arsenalit, pasi në “Euro 2020”, kishte humbur penalltinë në finalen ndaj Italisë.
Në finalen që ishte zhvilluar në stadiumin “Wembley” ndaj Italisë, kishin dështuar të realizonin nga pika e bardhë edhe Sancho dhe Marcus Rashford.
Por në Duesseldorf të Gjermanisë, në çerekfinale ndaj Zvicrës, Saka ishte njëri prej pesë lojtarëve të saktë në ekzekutimin e penalltive dhe Sancho e ka përgëzuar shokun e tij. Anglia fitoi 5:3, pasi për Zvicrën dështoi të realizonte Manuel Akanji.
“Jam shumë krenar për këtë djalosh!”, ka shkruar Sancho për Sakan në Instagram.
“Këtë e ke bërë për mua dhe Marcusin, vëlla”, ka shtuar tutje ai.
Sancho dhe Rashford, që janë lojtarë të Manchester Unitedit, mbetën jashtë skuadrës për në “Euro 2024”.
Pas ndeshjes ndaj Zvicrës, Saka ka thënë se vështirësitë që i ka pasur në finalen e para tre vjetëve, i ka përdorur si forcë për të ardhmen.
“Mund të dështosh një herë, por e ke një tjetër shans nëse del në atë pozitë sërish”, ka thënë Saka.
“Jam person që dua të sfidohem vazhdimisht. Kam besim në vete. Dhe kur e pash që topi hyri në rrjetë, isha shumë i lumtur”, ka thënë Saka.
Sulmuesi i krahut ishte edhe realizues i golit të barazimit ndaj Zvicrës në minutën e 80-të, pesë minuta pasi Zvicra realizoi me Breel Embolon për 1:0.