Marrëveshja bazike për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë shihet si arritja e vetme e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrel si ndërmjetësues në dialog, pak para largimit të tij nga pozita.
Në Kosovës, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare kanë kritika të shumta edhe për moszbatimin e saj.
“Palët janë zotuar por për realizimin e asaj marrëveshje duhet shumë punë e që BE-ja nuk ka mekanizmat e vet për ta imponuar një marrëveshje të tillë, siç është marrëveshja franko-gjermane dhe pikërisht, moskonsistenca e BE-së sidomos rreth Kosovës po e dëmton dialogun.”- u shpreh Dritëro Arifi, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në këtë fazë, konsiderohet se duhet riformatizim i dialogut në mënyrë që të vazhdohet tutje dhe të provohet të arrihet një zgjidhje përfundimtare.
“Dialogu duhet të ri formatizohet tërësisht, por jo që një person të vijë dhe ta zgjidhë, por duhet të ketë më shumë një vendim politik brenda BE-së se si dhe çka duhet bërë me Kosovën, politikisht pikë së pari dhe pastaj dialog”.
Megjithatë, pritet një dinamikë e re në dialogun Kosovë-Serbi nëse Borrellin e zëvendëson kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas.
“Nëse zonja Kallas do të vije në këtë pozitë do të ketë një politikë shumë ndryshe edhe brenda BE-së, sepse duhet të ndryshojë dhe besoj se do të ketë diskutime brenda BE-së se si t’i qasen Kosovës dhe e dyta, edhe dialogu do të marrë një dinamikë tjetër.”
Kosova dhe Serbia janë në proces të dialogimit për normalizim të marrëdhënieve që nga viti 2011. Takimi i fundit në nivel të kryenegociatorëve u mbajt më 2 korrik, ku në agjendë ishte plani i sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes bazë për normalizim të marrëdhënieve e arritur në shkurt të vitit 2023. Megjithatë, as ky takim nuk solli rezultate konkrete në drejtim të zbatimit të saj.