Mark Rutte emërohet shef i ri i NATO-s

Aleatët e NATO-s e kanë emëruar të mërkurën kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, si shefin e ardhshëm të NATO-s, njoftoi aleanca ushtarake.

Emërimi i Ruttes u bë formalitet pasi rivali i tij i vetëm për këtë post, presidenti rumun Klaus Iohannis, njoftoi javën e kaluar dorëheqjen nga gara, pasi kishte dështuar të siguronte mbështetje.

“Këshilli i Atlantikut Verior vendosi ta emërojë kryeministrin holandez Mark Rutte si sekretar të Përgjithshëm të NATO-s, i cili do ta pasojë Jens Stoltenbergun”, tha NATO-ja në një komunikatë.

Rutte do ta marrë detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të aleancës ushtarake nga 1 tetori 2024, kur i mbaron mandati shefit të tanishëm Jens Stoltenbergut, tha ajo.

Rutte tha se mezi pret ta fillojë punën e re me “entuziazëm të madh”.

“Aleanca është dhe do të mbetet themeli i sigurisë sonë të përbashkët. Ta udhëheq këtë organizatë është një përgjegjësi që e marr me seriozitet”, shkroi Rutte në X.

Pasi shfaqi interesim për këtë post vitin e kaluar, Rutte fitoi mbështetje të menjëhershme nga anëtarët kyçë të aleancës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë.

Të tjerët ishin më të rezervuar, posaçërisht vendet e Evropës Lindore që argumentuan se ky post duhet të mbahet nga dikush prej rajonit të tyre për herë të parë.

Megjithatë, ata në fund e mbështetën Rutten, i cili është një kritik i ashpër i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe aleat i patundur i Ukrainës.

Stoltenberg, i cili ka 10 vjet në krye të NATO-s, tha se po e lë aleancën në “duar të sigurta” dhe e quajti Ruttes një lider të “fuqishëm transatlantik”.

“E mirëpres vendimin e aleatëve të NATO-s për ta zgjedhur Mark Rutten si pasuesin tim. Mark është një transatlantik i mirëfilltë, një lider i fuqishëm. I uroj atij sukses teksa ne vazhdojmë ta forcojmë NATO-n për sfidat e tanishme dhe të ardhshme”, tha Stoltenberg.

NATO-ja merr vendime me bashkëpajtim, prandaj Rutte, i cili po largohet nga politika në Holandë pas gati 14 vjetësh, mund të konfirmohej vetëm pasi ta fitonte mbështetjen e të gjitha 32 vendeve anëtare.

Rutte do të përballet me sfidën për ta ruajtur mbështetjen e aleatëve për luftën e Ukrainës kundër Rusisë, duke e siguruar njëkohësisht që NATO-ja të mos zhytet në luftë me Moskën.