Temperaturat e larta të ditëve të fundit kanë zbrazur rrugët dhe sheshet, kurse kanë shtuar pacientët që shkojnë për vizita mjekësore. Më të ndjeshme janë moshat e shtyra. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike apelon qytetarët që të shmangin daljen në qytete, nga ora 10 deri në 17.
Ngritja e temperaturave ditët e fundit ka shtuar edhe problemet në shëndetin e shumë qytetarëve. Nxehtësia që ka arritur deri në 36 gradë, duket se ka kufizuar edhe daljen e qytetarëve në sheshe. Ata që dolën, ndiqnin vetëm hijet.
“Në moshën time s’e mbaj mend kaq nxehtë me qenë temperature. Në muajin qershor vitin e kaluar në këtë kohë ka qenë ftoht. Varet prej njeriut si e ka organizmin, unë po e përballoj”, tha një qytetar i intervistuar.
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë deklarojnë se ditët e fundit janë rritur rastet e personave që kërkojnë ndihmë si pasojë e vapës e cila u shkakton probleme.
“Simptomat me të shpeshta për shkak të temperaturave apo vapës, janë temperatura, kokë-dhembja, skuqje e lëkurës, mund të ketë, vjellje, lodhje dhe konfuzion”, theksoi për RTK-në Albana Morina, mjeke në QKMF.
Sipas saj, simptomat mund t’i shfaqen secilit person që del në ato temperatura, ‘mirëpo më të atakuarit janë pleqtë, ata me sëmundje kronike dhe ata duhet t’i evitojnë daljet në atë periudhë të vapës dhe nëse e kanë ndonjë obligim që duhet ta kryejnë, duhet ta bëjnë në mëngjes dhe mbrëmje pas ores 17’.
Morina ka thënë se të gjithë janë të rrezikuar, por, sidomos ata me tension, diabet, astmë, por edhe personat obez. Në këto raste duhet pirë më shumë ujë, të konsumohen fruta e perime të freskëta, të vishen veshin rroba, dhe të shmangen oraret ku janë temperaturat e larta.
Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike bëri të thirrje për kujdes të shtuar në temperatura të larta. Instituti bën thirrje që personat me sëmundje kardiovaskulare dhe sëmundje të tjera kronike assesi të mos ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10-17.