Ndonëse janë bërë negociata e janë arritur edhe dy marrëveshje në Bruksel për atë se si do të hapet Ura e Ibrit, një gjë e tillë s’ka ndodhur. Porosia për Kosovën, pas paralajmërimeve për hapje, është që për diçka të tillë të arrihet dakordim në Bruksel ku prezentë duhet të jetë edhe pala serbe. Kështu kanë thënë për Gazetën Express nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.
Zëdhënësi i Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, Christian Boettcher, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se hapja e Urës së Ibrit është subjekt i dy marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar dhe ka thënë se pavarësisht kësaj, Ura vazhdon të jetë e mbyllur për vetura.
“Hapja e urës së Mitrovicës është temë e dy marrëveshjeve të arritura nga palët në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në vitin 2015 dhe 2016. Pavarësisht përpjekjeve të BE-së për lehtësimin ndër vite, ura mbetet e mbyllur për trafik”, ka thënë Boettcher për Express.
Ai tutje ka thënë se si një çështje e hapur që ka të bëjë me dialogun e Brukselit, vendimi për të duhet të merret në kuadër të dialogut, me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Kosovës dhe Serbisë.
“Duke qenë se kjo është një çështje që ka të bëjë me Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim në lidhje me Urën duhet të bëhet në kuadër të Dialogut me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Boettcher për Express.
Zëvëndës Drejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, kishte dhënë përlajmërim që ura e Ibrit do të hapet shumë shpejt.
“Unë e konsiderojë që është vetëm në pyetje koha se kur kjo urë do të hapët dhe si do të hapët. Një herë e patëm përmend që ka mundësi me u hapë ura dhe me u mbushë më autoblinda në një farë vendi, por jemi duke e diskutu me eprorët tonë se si ka mundësi kjo të bëhet. Unë konsiderojë se nuk ka më vend për brengosje për qytetarët e veriut të vendit. Forma se si do të hapët është pak më ndryshe, por unë konsideroj që shuam shpejtë do ta kemi edhe urën e hapur”, kishte deklaruar Elshani në një intervistë për Tëvë1 më 29 maj.
Vendim për hapjen e Urës së Ibrit është marrë edhe në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, megjithatë përgjegjësia për vendimin përfundimtar i përket hapjes është në dorë të MPB-së dhe Qeverisë së Kosovës. Kështu ka thënë kohë me parë kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin.
Janë kompetenca të MPB dhe Qeverisë përmes dialogut edhe me bashkësinë ndërkombëtare, por ne nuk mundemi si Kuvend dhe nuk kemi të drejtë t’i bisedojmë këto çështje pasi e kemi sjellë vendimin, hapat konkretë duhet t’i marrë Qeveria”, kishte thënë Uglanin.