Me një investim rrënjësor, që arrin shifrën rreth 5.5 milionë euro, sot u përuruan renovimet në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK. Me këtë rast, i pranishëm ishte Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Pas vizitave të reparteve të transformuara në këtë klinikë, Kryeministri Kurti tregoi se nga shuma milionëshe e investimeve, mbi 3 milionë euro janë investime në infrastrukturë dhe pajisje për fertilizimin e asistuar mjekësor IVF, ndërkaq rreth 2.4 milionë euro janë për mjekësinë fetale dhe për amniocentezën.
Në anën tjetër, renovimet, të cilat mbulojnë një hapësirë prej 5000 metra katrorë, duke përfshirë edhe korridoret, dhomat e shtretërit, janë investime, të cilat ndikojnë në përmirësimin e kushteve për gratë e vajzat, paciente aty.
“Dikur kanë qenë 7-8 gra në një dhomë, ndërkohë që banjo ka qenë vetëm në një skaj të korridorit, e përbashkët. Tash në secilën dhomë janë vetëm dy krevate dhe në secilën dhomë ka nyje sanitare dhe banjo. Pastërtia është maksimale, cilësia e ajrit është e lartë, ndriçimi është i këndshëm dhe përkushtimi i mjekëve dhe i infermierëve është maksimal,” shpjegoi kryeministri Kurti.
Duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit që kontribuuan në këtë transformim, ai u shpreh i lumtur që tashmë nënat lehona e foshnjat, kanë klinikë më të mirë gjinekologjike si asnjëherë më parë. Kryeministri, ritheksoi se mbështetja financiare për herë të parë e mbi 55 mijë lehonave dhe mbi 400 mijë fëmijëve të Kosovës, paraqet edhe një dëshmi të kompletuar se mirëqenia e nënës dhe fëmijës janë fokus i Qeverisë.
Ndërkaq, Ministri Arben Vitia u shpreh i lumtur që sot po fillojnë punë katër repartet më të rëndësishme të rinovuara në Klinikën e Gjinekologjisë. Ai shtoi se tani në këto reparte janë instaluar edhe njësitë e tjera, të cilat do të ndihmojnë në sistemin informativ shëndetësor, derisa do të ketë digjitalizim të radhëve e procese të digjitalizuara dhe, gjithë kjo përmes kushteve të jashtëzakonshme, që tani e tutje do t’i kenë gratë në këtë klinikë.
Në Klinikën e Gjinekologjisë, kryeministri Kurti u mirëprit nga Drejtori i QKUK-së, Osman Hajdaraj, Drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Ardian Shefkiu, dhe personeli shëndetësor.
Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:
Sot kisha kënaqësinë e veçantë, që me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë, me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, të mirëpritemi këtu nga doktor Zef Ndrejaj, i cili është Drejtor i Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, bashkë më Osman Hajdarin, Drejtorin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, dhe me Ardian Shefkiun, Doktor Ardianin, i cili është Drejtor Shëndetësor në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe me deputetet Sarandën, Fitoren, Haxhiun dhe Jetën, që të shohim një investim të jashtëzakonshëm, që e ka transformuar rrënjësisht këtë klinikë.
Bëhet fjalë për 5.5 milionë euro përafërsisht që janë investuar këtu, me ç’rast mbi 3 milionë euro janë për fertilizimin e asistuar mjekësor, ndërkaq rreth 2.4 milionë euro janë për mjekësinë fetale dhe për amniocentezën.
Dikur kanë qenë 7-8 gra në një dhomë, ndërkohë që banjo ka qenë vetëm në një skaj të korridorit, e përbashkët. Tash në secilën dhomë janë vetëm dy krevate dhe në secilën dhomë ka nyje sanitare dhe banjo. Pastërtia është maksimale, cilësia e ajrit është e lartë, ndriçimi është i këndshëm dhe përkushtimi i mjekëve dhe i infermierëve është maksimal. Andaj, unë i falënderoj të gjithë ata, të cilët kanë punuar e kanë kontribuuar që ta gëzojmë këtë ditë.
Para përafërsisht dhjetë vjetëve unë e kam pasur gruan time këtu, e cila pat lindur vajzën tonë, mirëpo sot kur hyn këtu në Spital dhe në Klinikën Gjinekologjike, nuk mund ta dallosh që je në Prishtinë, nëse e krahasojmë me kohën para një dekade në vendin e njëjtë.
Tash gjysma e këtyre investimeve prej mbi 3 milionë euro, të cilat i përmenda tek fertilizimi i asistuar mjekësor, janë për infrastrukturë, e gjysma janë për pajisje dhe në të njëjtën kohë jemi me shumë fat që nënat lehona edhe foshnjet dhe fëmijët në përgjithësi, kanë klinikë më të mirë gjinekologjike, si asnjëherë më parë, pikërisht në periudhën kur edhe po i marrin shtesat për fëmijë e ato për lehona. Mbi 55 mijë lehona marrin mbështetje financiare dhe mbi 400 mijë fëmijë të Kosovës për herë të parë me Qeverinë aktuale, që paraqet edhe një dëshmi të kompletuar se nëna dhe fëmija, shëndeti i saj dhe i fëmijës, mirëqenia e nënës dhe fëmijës, janë në fokus të Qeverisë sonë.