Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, të enjten do t’ia japë mandatin për formimin e Qeverisë, kryetarit të VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Sipas Kushtetutës, mandati për formimin e Qeverisë i jepet partisë, e cila në zgjedhje ka fituar numrin më të madh të deputetëve dhe që arrin të sigurojë mbi 60 vota për votimin e saj në Kuvend.
Në zgjedhjet parlamentare më 8 maj, VMRO DPMNE-ja ka fituar 58 ulëse në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, nga 120 sa janë gjithsej.
Pas marrjes së mandatit, kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka afat prej 20 ditësh për paraqitjen në Kuvend të përbërjes së re të Qeverisë, si dhe programin e punës.
Mickoski ka thënë se dorëzimin e listës me emrat për përbërjen e Qeverisë së re do ta bëjë në afatin e parë të mundshëm.
“Pres që ta dorëzoj përbërjen sa më shpejt të jetë e mundur, apo para festave fetare që vijnë – Kurban Bajrami (16 qershor) dhe Dita e shpirtrave (21 qershor)”, ka thënë Mickoski.
Qeveria e re do të formohet nga VMRO DPMNE-ja, koalicioni shqiptar VLEN dhe lëvizja ZNAM. Këto tri parti së bashku do të kenë 78 deputetë.
Para votimit të Qeverisë, Kuvendi duhet të miratojë një ligj për riorganizimin e ministrive, megjithatë, për këtë nevojitet shumica prej dy të tretash (apo 80 vota) në Kuvendin prej 120 anëtarësh.
Mickoski të mërkurën i ka dorëzuar propozim-amendamentet në Kuvend, por ndonëse nuk ka dashur të konfirmojë drejtpërdrejt se a ka siguruar mbështetjen e 80 deputetëve, ka thënë se ata nuk janë “fillestarë në politikë” për të “besuar në rastësi”.
“Ne nuk jemi politikanë naivë që të besojmë në rastësi. Në politikë rrallëherë ka rastësi”, është shprehur Mickoski.
Mickoski nuk ka dhënë detaje rreth ndarjes së ministrive apo se kush do t’i drejtojë ato, ndërkohë që përfaqësues të koalicionit VLEN kanë thënë se në Qeverinë e re do të kenë një zëvendëskryeministër, gjashtë ministri, dy prej të cilëve do të jenë pa resor, si dhe shtatë zëvendësministra. Nga radhët e koalicionit VLEN është edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili në këtë post u zgjodh më 28 maj.