Policia ka vazhduar aksionin e saj në rastin e “Dinarit serb” të mërkurën në veri të Mitrovicës, duke e realizuar një kontroll të një filiali të bankës së ashtuquajtur “Nardodna Banka’ apo Bankës Postare Kursimore.
Me këtë rast, në njoftimin e Policisë thuhet se është kontrolluar një kasafortë e cila në kohën e kryerjes së kontrollit me datë 20 maj nuk ishte arritur të hapej në mungesë të personit përgjegjës që i kishte çelësat.
“Hetuesit policorë kanë arritur që me datë 29.05.2024 të identifikojnë menaxheren e pikës, e cila është kontaktuar dhe ka sjellë çelësat e kasafortës në prezencën e së cilës është hapur dhe janë sekuestruar mjetet monetare si në vijim: 152,290.00 dinarë, 4,580 euro, 940 franga zvicerane”, thuhet në njoftim.
Pas përfundimit të kontrollit, menaxherja e pikës është intervistuar në cilësinë e të dyshuarës në prezencën e avokatit mbrojtës, përderisa procesi i kontrollit thuhet se është zhvilluar pa asnjë incident.