Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, sot në Amfiteatrin e Fakultetit Juridik në Prishtinë do të marrë pjesë në tubimin me qytetarë të Partisë për Veprim Demokratik (PVD), e cila vepron politikisht në Luginë të Preshevës.
Kurti pritet t’i ftojë qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës që në zgjedhjet lokale të 2 qershorit 2024 t’i votojnë dy kandidatët e PVD-së për kryetar të Preshevës dhe Bujanocit, përkatësisht Ardita Sinanin dhe Ragmi Mustafin.
Përndryshe, Sinani është këshilltare politike e Albin Kurtit, ndërsa Mustafi është këshilltar politik i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
Para Luginës së Preshevës, Kurti ka ndërhyrë edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoninë e Veriut, ku ka përkrahur koalicionin e forcave opozitare VLEN.
Në Preshevë dhe Bujanoc ankohen se përkrahja e kryeministrit të Kosovës për kandidatët e një subjekti politik kontribuon edhe më shumë në përçarjen e faktorit politik shqiptar në Luginë.
Kryetari i Bujanocit: Albin Kurti po bën ndërhyrje flagrante në zgjedhjet lokale në Luginë
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, ka deklaruar për Front Online se përfshirja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në zgjedhjet e Luginës është gabim i madh.
Ai e ka cilësuar këtë veprim të shefit të Qeverisë së Kosovës si ndërhyrje flagrante në zgjedhje.
Sipas tij, s’duhet të bëhen gabime si në Maqedoninë e Veriut.
Ai ka kërkuar nga Kurti që të ftojë shqiptarët të votojnë pa pozicionim.
“Është një ndërhyrje flagrante në zgjedhjet lokale këtu në Luginë të Preshevës. Kishte me qenë më së miri që Kurti që t’i bëjë ftesë gjithë shqiptarëve që jetojnë në Kosovë që të vijnë në Luginë të Preshevëa dhe të votojnë më të mirin dhe mos të bëhet gabimi që ndodhi në RMV”, ka potencuar Arifi.
Sipas tij, nëse Kurti mendon se një subjekti i jep përkrahje, është gabim i madh sepse, siç thotë ai, në Bujanoc garojnë katër parti politike shqiptare dhe katër serbe, e një rome dhe ky veprim do ta acaronte gjendjen mes shqiptarëve këtu.
Shqiprim Arifi: Kurti është në lojën e Vuçiqit dhe Putinit
Ish-kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi ka folur për Front Online për prezencën e kryeministrit kosovar Albin Kurti në fushatën e kandidates për kryetare të Preshevës, Ardita Sinani.
Arifi ka thënë se ky veprim krijon përçarje në trojet shqiptare dhe proceset politiko-shqiptare.
Ai për Kurtin ka thënë se po e përkrah një parti e cila është “krah e Qeverisë serbe”.
“Kurti nuk është i interesuar për stabilitet në rajon dhe s’ka interes që të realizoj politika të Kosovës apo shqiptarëve në përgjithësi. Kurti është në planin e mirëfilltë të Putinit dhe Vuçiqit. Kurti e përkrah një parti në Luginë që është këshilltarja e tij dhe është krah e Qeverisë së Serbisë, sepse e kanë votuar programin qeverisë serbe më 2016, me në krye Aleksandër Vuçiqin. Përzierja e tij krijon përçarje në trojet shqiptare dhe proceset politiko-shqiptare”, ka potencuar Arifi.
Arifi megjithatë nuk beson që Ardita Sinani do të rikthehet në krye të Preshevës.
Sipas tij, e njëjta do t’i humb zgjedhjet e 2 qershorit.
“Ardita Sinani me paratë e Kosovës që ja ka aprovuar Kurti mundohet të joshë qytetarët e Luginës së Preshevës me votë, por ata janë të vetëdijshëm që nuk e lejojnë me shitë intelektin e tyre me parat nga Kosova për Sinanin sepse ajo është një person e korruptuar dhe që i ka humbur zgjedhjet një pas një dhe në këtë formë do ti humb sërish”.
Zgjedhjet lokale në Luginë mbahen me 2 qershor 2024.