Pas dështimit, Kosova provon të riniset drejt anëtarësimit në KiE me një draft-statut të saj për Asociacionin

Asociacioni u nxorr nga pakoja. Ndodhi ajo që kryeministri iu thoshte ambasadorëve të QUINT-it në fillim të këtij muaji se nuk mund të bëhej. Albin Kurti shpresoi se “letra e garancisë” e më pas një përpjekje e fundit me një tjetër letër të dërguar në Strasburg do të bënin që Kosova të anëtarësohej në Këshillin e Europës, pavarësisht se e refuzoi kushtin e vendosur për këtë. Asnjë nga këto lëvizje s’e shmangu dështimin. Çështja u la jashtë agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave javën e kaluar. Tash, kur është konfirmuar se një lëvizje e rëndësishme drejt themelimit të Asociacionit është e pashmangshme për anëtarësim në KiE, Qeveria është e gatshme ta shkruajë një draft-statut me shpresën se deri në fund të vitit do të pranohet në organizatën më të vjetër politike ndërkombëtare në Europë.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës dështoi. Përpjekja e Qeverisë në momentin e fundit nuk i bindi ministrat e shteteve anëtare të kësaj organizate për ta futur Kosovën në agjendën e takimit të tyre.

Letra që ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e dërgoi në Strasburg, nuk kreu punë. Ajo shkruante për përgatitjen e një draft-statuti të Asociacionit të komunave me shumicë serbe që thoshte se deri në fund të muajit do t’i dorëzohej Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim.

Kryeministri Albin Kurti, megjithëse deklaroi se nuk e dërgon në Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit të propozuar nga Bashkimi Europian, duke refuzuar kështu kushtin për anëtarësimin e Kosovës në KiE këtë muaj, shpresonte për “më të mirën për 17 maj”. Por nuk ndodhi. As lëvizja e fundit e Qeverisë nuk mjaftoi. Nuk vleu as një “letër e garancisë” që ai, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca e kishin dërguar në mars, përmes së cilës zotoheshin për themelimin e Asociacionit pas anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila tha të hënën se draft-statuti i BE-së mbetet i papranueshëm, pasi tha se “ka probleme kapitale”. Por shprehu gatishmërinë e Qeverisë për t’u përkushtuar vetë për draft-statutin e Asociacionit.

“Kosova ka qenë dhe mbetet e interesuar që të gjejë një zgjidhje e cila nuk paraqet rreziqe ose mundësi për defunksionim të brendshëm të saj”, tha Kusari Lila në një intervistë në Interaktiv të KTV-së.

Mosfutja e Kosovës në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave të KiE-së, ajo tha se “nuk është dështimi i fundit” dhe se me të “nuk është se është mbyllur çdo gjë”.

“Kjo është një përpjekje e cila e tregon një betejë të humbur, por jo luftën”, tha ajo, duke shprehur besimin se Kosova do të anëtarësohet në Këshillin e Europës para fundit të këtij viti.

“Jemi të zhgënjyer, por besojmë se nuk është e përfunduar ose e mbaruar. Unë jam e bindur se do e gjejmë rrugën drejt anëtarësimit dhe nuk do të jetë situatë e njëjtë as me INTERPOL-in, as me UNESCO-n. Jam e bindur se Kosova do të jetë anëtare e KiE-së shumë me herët, ndoshta edhe para përfundimit të këtij viti”, tha Kusari Lila.

Ndërsa Kosova thuhej se po i vazhdonte përpjekjet për anëtarësim në KiE, pak ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave Qeveria e Albin Kurtit kërkoi edhe ndihmën e Shqipërisë. Për publicistin dhe gazetarin shqiptar, Ben Andoni, kjo ishte lëvizje taktike e Qeverisë së Kosovës “për ta ndarë përgjegjësinë e humbjes”.

Në javën e parë të këtij muaji, ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefi i zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë ishin në Qeveri për t’i kërkuar kryeministrit që të lëvizë drejt themelimit të Asociacionit përpara se të mblidhej Komiteti i Ministrave.

Atyre, Albin Kurti iu tha se “Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim”, ua përmendi “letrën e garancisë” për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe pas anëtarësimit dhe iu tha se “Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor”.

Siç njoftonte Zyra e Kryeministrit, Kurti iu kishte thënë mysafirëve ndërkombëtarë se “normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg” e se “këto dy procese nuk duhet të përzihen”.

“Kryeministri theksoi se neni 7 i Marrëveshjes Bazike nuk mund të nxirret nga pakoja e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit në Ohër dhe nuk duhet të vendoset si prioritet dhe në qendër. Ai kujtoi se me 26 tetor, u refuzua oferta për t’u nënshkruar Marrëveshja në pako që do t’i hapte rrugën zbatimit të plotë të Marrëveshjes, duke përfshirë nenin 7 të saj ndërlidhur me nenin 10. Në këtë drejtim, Kryeministri e ritheksoi se dokumenti i ofruar si draft statut nga Lajçak për zbatimin e nenit 7 ndërlidhur me atë 10, nuk është pranuar me 26 tetor vitin e kaluar në Bruksel”, u tha në komunikatën e ZKM-së.

Më 16 maj, 80% e deputetëve në Asamblenë Parlamentare votuan që Kosova të avancojë më tej në rrugën e anëtarësimit në Këshillin e Europës. Por Kurti u paralajmërua menjëherë se “tani vjen puna e vështirë”. Përpara ngecjes te Komiteti i Ministrave, ai tha “s’bëj hapa të cilët rrezikojnë Kosovën, sovranitetin, integritetin territorial, kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e saj”.

Kosova hapin e parë të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës e bëri më 27 mars, kur me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandon se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës.