Kusari-Lila: Drafti i BE-së për Asociacionin është i papranueshëm për Kosovën

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se drafti i Asociacionit të komunave më shumicë serbe i propozuar nga BE-ja në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, është i papranueshëm. 

Kusari-Lila në një intervistë në emisionin “Interaktiv” në KTV ka theksuar ai ka probleme kapitale dhe se komentet e Kosovës nuk janë përfshirë në të. 

“Drafti aktual mbetet i papranueshëm për Kosovën, se ka probleme kapitale përbrenda atij drafti, se Kosova ka dërguar komentet e veta të cilat nuk janë përfshitë, dhe se Kosova ka qenë dhe mbetet e interesuar që të gjejë një zgjidhje e cila nuk paraqet rreziqe ose mundësi për defunksionim të brendshëm të saj”, ka deklaruar Kusari-Lila. 

Ajo ka thënë se në situatën aktuale ai draft nuk mund të dërgohet në Kushtetuese dhe se për këtë duhet të ketë vendim e ai të marrë vulën e Qeverisë.

“Qeveria nuk mund të vendos logon dhe vulën e saj mbi një dokument i cili në fakt nuk është i pranuar, Qeveria nuk është dakorduar me atë dokument, po i thuhet, po merre, bëje vendim tëndin”, është shprehur ajo duke shtuar se besojnë që drafti ka probleme përmbajtjesore.