Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot priti në një vizitë “miqësore” udhëheqësit e koalicionit VLEN të partive shqiptare në Maqedoninë Perëndimore, Bekim Qoku, Bilall Kasami, Arben Taravari, Izet Mexhiti e Afrim Gashi, të cilët i përgëzoi për rezultatin zgjedhor. Është hera e parë që opozita shqiptare arrin të prekë dhe të tejkalojë 100,000 vota.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, përfaqësuesit e VLEN diskutuan me kryeministrin Kurti për çështjet me rëndësi për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por edhe për marrëdhëniet ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut e për çështje të tjera të rëndësishme.
“Shqetësuese për palët vazhdon të jetë influenca ruse dhe serbe, e cila ndodh edhe përmes rrjeteve korruptive e kriminale. Zhvillimi i infrastrukturës që ndërlidh popullsitë e shtetet tona, ishte një ndër temat kryesore të diskutimit, bashkë me ide e projekte për gjallërimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor e arsimor”, thuhet në komunikatë.
“Takimi u zhvillua në frymë të bashkëpunimit të përzemërt, duke mbajtur parasysh se shqiptarët në Ballkan janë faktor i padiskutueshëm në mbështetje të demokratizimit, integrimit europian, paqes e sigurisë dhe qëndrueshmërisë euroatlantike”.