Muja thyen heshtjen dhe tregon për arsyen e transferimit befasues të tij nga Antwerpi në Turqi

Arbnor Muja më në fund ka vendosur të flasë për transferimin e tij të papritur te klubi turk Samsunspor.

Muja shkoi me shumë bujë në Belgjikë te Antwerpi dhe dukej se gjërat po rridhnin mjaft mirë.

Megjithatë, në shkurt të këtij viti, ai u transferua te Samsunspor në Turqi për 2 milionë euro.

“Ky transferim erdhi si befasi për mua”, ka thënë Muja të enjten, shkruan mediumi belg “hbvl.be”.

“Nuk e kisha ndërmend të largohesha. Antwerpi ishte bërë shtëpia ime e dytë”, ka vazhduar ai.

Muja u shpreh se do të donte me shumë qejf të luajë për skuadrën me të cilën e fitoi titullin, Kupën dhe Superkupën në Belgjikë.

“Për fat të keq, klubi më tha në fund të muajit janar se dashuria më nuk ishte e ndërsjellë.

“Nuk e kam kuptuar plotësisht vendimin e klubit. Por kështu funksionon futbolli. Situata mund të ndryshojë nga dita në ditë. Duhet ta pranosh. Më mungon klubi, tifozët dhe qyteti”, ka deklaruar Muja.