Sindikata e Pavarur e RTK-së ka kërkuar shkarkimin e drejtorit të Radios, Arsim Halili.
Në një reagim për media të martën, Sindikata tha se ky shkarkim po kërkohet në mënyrë që t’i hapet rrugë një hetimi të gjerë e të papenguar të pasojave nga veprimet e tij.
Mbi të njëjtin bien akuzat e ngritura për dhunë verbale, presion, ndërhyrje në punën e komisionit diciplinor, qortime me ngritje zëri dhe rrahje tavoline etj.
“Është më se e nevojshme të veprohet urgjentisht, në të kundërtën, dhuna verbale ndaj grave si dhe ndërhyrjet në organet të cilat do të duhej të jenë të pavarura në punën e tyre sic është rasti i ndërhyrjes brutale në komisionin diciplinor, do të bëhen normë”, thuhet në deklaratën për media të Sindikatës.
I njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë sistematike verbale ndaj udhëheqëses së zyrës ligjore, Zana Spahiu tani më e dorëhequr nga Administrata, Arta Bajramit, si dhe gazetares Behare Bajraktari.
Përveç shkarkimit të drejtorit Halili, SPRTK ka kërkuar nga Bordi që ta krijojë mundësinë e rikthimit të Arta Bajramit në RTK, si dhe të Zana Spahiut në krye të komisionit diciplinor.