Kryeministri Albin Kurti, dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, kanë mbajtur një takim të thirrur nga kreu i Qeverisë.
Krasniqi, në fjalën e tij para mediave pohoi se është folur kryesisht në punën e Kuvendit dhe perspektivën e zgjedhjeve të ardhshme.
“Kemi pasur diskutime konsideroj të mira. Sa i përket Kuvendit edhe Ligjit në Kuvend, kemi diskutu edhe për ato.”
Ai shtoi se zgjedhjet nuk janë vetëm një dëshirë e PDK-së, por një nevojë për vendin, duke theksuar se “Unë do të ruaj korrektësinë, i kam propozu edhe më herët më vjen keq që data 9 qershorit është jashtë kornizave. Besoj që ka ende data që janë brenda kësaj kornize kohore që shpresoj të kemi dakordim.”
Krasniqi gjithashtu shprehu arsyet e pjesëmarrjes së tij në këtë takim.
“Unë kam ardhur në këtë takim, duke besu se interesi i qytetarëve të Kosovës është me u marrë me tema që u interesojnë atyre, jo ato që u interesojnë ambasadave. Duhet të kthehemi tek qytetarët, sepse 200 mijë qytetar kanë ikur se këtu nuk kanë gjetur një jetë të mirë”.
Takimi përfshiu gjithashtu prezencën e shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, dhe shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Megjithatë, dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë zgjedhur të mos marrin pjesë në këtë takim, duke lënë hapësirë për spekulime mbi qëndrimet dhe strategjitë e tyre politike.
Ky takim vjen në një kohë të tensionuar politike dhe është një zhvillim kyç në rrugën e Kosovës drejt zgjidhjes së sfidave të brendshme dhe të forcimit të demokracisë së saj.