Sipas një studimi të ri që u bë në Universitetin e Harvardit, shkencëtarët sugjerojnë se një lugë gjelle vaj ulliri në ditë, mund të ulë rrezikun e vdekjes nga sëmundja e demencës.
Në studimin që u publikua në JAMA Network Open, morën pjesë 92 mijë persona të moshës madhore, të cilët u mbikëqyrën për 28 vjet, duke konsumuar të paktën 7 gramë vaj ulliri çdo ditë. Rezultatet treguan se kjo gjë uli rrezikun e vdekjes nga sëmundja e demencës për 28 për qind, pasi të dhënat u krahasuan me të dhënat e personave që nuk konsumuan vaj ulliri, raporton CNN.
Studimi është bërë në formë të rishikimit të rezultateve të një studimi të mëparshëm, që ishte publikuar në korrik të vitit 2023 në takimin e përvitshëm të American Society of Nutrition’s, ku ishte analizuar nëse mënyra mediterane e të ngrënit ul rrezikun e vdekjes nga sëmundja e demencës.
Autorët e studimit, vlerësonin të dhënat e pjesëmarrësve çdo katër vjet përmes një pyetësori.
Pjesëmarrësit që përdorën 5 gramë vaj ulliri çdo ditë, në vend të margarinës apo majonezës, patën 8 deri në 14 për qind më pak rrezik të vdekjes nga demenca.
Autorët deklaruan se rezultatet me vajra të tjerë bimorë apo gjalpë nuk ishin domethënëse.
“Studimi ynë përforcon këshillat e dietologëve, të cilët rekomandojnë konsumimin e vajrave bimore, si vaji i ullirit dhe sugjeron që këto këshilla jo vetëm që mbështesin shëndetin e zemrës, por fuqishëm mbështesin edhe shëndetin e trurit”, ka thënë autorja e studimit Anne-Julie Tessier, dietologe në Universitetin e Harvardit.
Ajo gjithashtu ka thënë se përdorimi i vajit të ullirit në vend të yndyrave të tjera industriale si margarina e majoneza, është një zgjedhje e sigurt si dhe mund të ulë rrezikun nga demenca fatale.
Ani pse autorët e studimit kanë deklaruar se duhet të bëhen ende studime, ata gjithashtu deklaruan se çdo gjë që mund të përmirësojë shëndetin kardiovaskular, si për shembull mos konsumimi i duhanit, mund të ulë rrezikun edhe nga demenca.
“Rezultatet e konsumimit të vajit të ullirit treguan përmirësim në shëndetin kardiovaskular, prandaj mund të ketë lidhshmëri edhe me uljen e rrezikut nga demenca”, ka thënë Duane Mellor, dietolog që nuk ishte pjesëmarrës në studim.