Jogurti dhe kefiri janë të bërë nga qumështi që është fermentuar e aciduar. Ndërkohë që qëllimi kryesor i fermentimit është ta rrisë jetëgjatësinë e produktit, ushqimet e fermentuara çdo ditë e më shumë po njihen si të mira për shëndetin, shkruan “Health”.
Procesi i krijimit të jogurtit fillon duke përdorur qumështin. Fillimisht qumështi pasterizohet në mënyrë që të largohen mikroorganizma e dëmshëm. Pastaj me anë të shtesave bakteriale fillon fermentimi. Qumështi mbahet në temperature specifike për të qëndruar ngrohtë në mënyrë që bakteret të shndërrohen në laktozë. Sheqeri natyral që gjendet në qumësht shndërrohet në acid laktik. Ky proces i fermentimit e bën qumështin të aciduar, gjë që e bën jogurtin të jetë i trashë e i thartë.
Jogurtit zakonisht i shtohen edhe bakteret e njohura si “Lactobacillus acidophilus” dhe “Bifidobacteria spp”.
Ngjashëm me jogurtin, kefiri është po ashtu qumësht i fermentuar që prodhohet duke pasterizuar qumështin. Për të formuar kefirin, kokrrat e kefirit përzihen me qumësht. Ashtu sikur me jogurtin, procesi i fermentimit bëhet në temperaturë specifike. Kokrrat e kefirit përmbajnë baktere natyrale si dhe tharm, gjë që fermenton laktozën që ndodhet në qumësht e në fund si rezultat përfitohet kefiri.
Cili ka më shumë probiotikë?
Probiotikët janë mikroorganizma të cilët ofrojnë të mira shëndetësore kur konsumohen në sasi adekuate. Ndryshe njihen si baktere të mira, të cilat ndodhen në zorrë dhe mbështesin shëndetin e mirë të organizmit në përgjithësi. Probiotikët mundësojnë lëvizje më të mirë për ushqimin nëpër zorrë, parandalojnë zhvillimin e mikroorganizmave të dëmshëm dhe forcojnë muret e zorrëve, ku ndodhen 100 trilion mikroorganizma.
Jogurti e kefiri janë të pasur me probiotikë. Sipas disa studimeve, jogurti përmban 100 milionë lloje të probiotikëve në një gram.
Kurse kefiri përmban 100 milionë probiotikë të acidit laktik, 1 deri në 10 probiotikë të formuar nga mykotikët dhe 100 mijë probiotikë të formuar nga bakteret e acidi acetik, në një gram.
Cili është më i mirë për shëndetin?
Se a është më i mirë kefiri a jogurti, kjo varet nga preferencat individuale. Bulmeti në përgjithësi njihet si ushqim që përmban vlera të shumta ushqyese si, proteina, kalciumi e kaliumi.
Megjithatë studimet tregojnë se konsumi i rregullt i produkteve të qumështit të fermentuar, si jogurti e kefiri, ul rrezikun nga zhvillimi i sëmundjeve të kancerit, si ai i zorrës së trashë, si dhe diabetin e tipit 2.
Konsumimi i rregullt i jogurtit e kefirit ndihmon në mbajtjen e peshës së duhur trupore, shëndet më të mirë të eshtrave, zemrës dhe zorrëve.