Mikko Hyppönen, një nga ekspertët me më nam në botë sa i përket sigurisë kibernetike do të vijë në Prishtinë. Është folësi i parë i konfirmuar nga festivali dedikuar teknologjisë, Doku.Tech. Hyppönen punon për “WithSecure” në Finlandë si zyrtari kryesor i hulumtimeve. Fjalimi i tij në TED Talk është shikuar nga 2 milion njerëz dhe është përkthyer në 40 gjuhë. Shkrimet e tij janë publikuar në “New York Times” e “Wired and Scientific American”. Ai po ashtu ka ligjëruar në universitet si “Oxford”, “Stanford” dhe “Cambridge”. Është në mesin e 50 personave më të rëndësishëm në botë sipas “PC World” dhe në mesin e 100 mendimtarëve më të rëndësishëm sipas “FP Global”.
“Ne jemi në mes të lulëzimit të Inteligjencës Artificiale. Edhe nëse përpiqesh të jesh në hap me më të rejat, nuk do të mundesh. Pse po ndodh kjo? Çfarë do të ndodh në të ardhmen? Përderisa jemi duke ndërtuar sisteme të mençura, si mund t’i mbajmë ato të sigurta? Çfarë janë implikimet e mbrojtësve të kibernetikës dhe sulmuesve? Si ta mbajmë Inteligjencën Artificiale të sigurt dhe në linjë me qëllimet tona”, janë disa nga pyetjet që do mundohet t’u jap përgjigje Mikko Hyppönen.
Doku.Tech çdo vit sjellë një temë rreth se cilës organizohen edhe diskutimet e punëtoritë përcjellëse. Këtë vit, ekipi ka vendosur që të mbajë temën e viti të kaluar duke e parë nevojën që diskutimi i vitit të kaluar të vazhdojë. Rikthehet me temën “Ta sjellim të Ardhmen më afër, së bashku”, por kësaj radhe e sjellë atë me një koncept të ri, konceptin e efektit të fluturës.
Ky koncept nënkupton që ndryshimet e vogla mund të kenë ndikim të madh. Ato mund të nxisin reagime të tjera zingjirore, shpesh të paparashikueshme. Prandaj zgjedhja e efektit të fluturës për edicionin e 11 reflekton lidhjen në mes të inteligjencës artificiale dhe dinamikes njerëzore. Njëlloj siç munden, veprimet e vogla të nxisin konsekuenca substanciale në teori kaotike, zhvillimet e vogla në Inteligjencë Artificiale mund të sjellin ndyshime të thella në shoqëri. Prandaj ky edicion vjen si eksplorim i fuqisë që mund të kenë pikërisht veprimet a ndryshimet e vogla në gdhendjen e të ardhmes së teknologjisë.
Festivali i përvitshëm Doku.Tech mundohet që të eksplorojë sfidat dhe mundësitë e teknologjisë dhe të lidhë Kosovën me mendje të ndritura, lidere të kësaj fushë. Festivali mundësohet që tu ofrojë veçanërisht të rinjve mundësinë për të krijuar lidhje që mund t’i avancojnë në jetë dhe karrierë. Folësit çdo herë zgjedhën në atë mënyrë që të prezantojnë me të rejat e kësaj fushë, mendime të avancuara, inovative dhe të guximshme.
Që nga fillimi i tij me Festivalin DokuFest në Prizren e deri tani, për edicionin e tij të 11-të të planifikuar që të mbahet në Prishtinë më 1 dhe 2 Qershor, Doku.Tech vazhdon të rritet nga një event dedikuar teknologjisë në një platformë që mbledhë më shumë se 1 mijë të ri nga Kosova dhe regjioni, duke ndërtuar ura lidhëse në mes të Kosovës, regjionit dhe përtej.