Shkencëtarët në Britani të Madhe janë duke u përpjekur ta bëjnë bukën e bardhë po aq të shëndetshme sa ajo integrale, në një projekt të financuar nga qeveria britanike, shkruan BBC.
Studiuesit planifikojnë të shtojnë sasi të vogla bizele, fasule dhe drithëra në përzierjen e bukës së bardhë, si dhe krunde dhe lëvoren e kokrrës së grurit që normalisht hiqen nga mielli i bardhë.
Prodhuesit janë përpjekur t’i bëjnë bukët e bardha më të shëndetshme në të kaluarën duke i shtuar krunde në miell, por shija dhe cilësia nuk ishin në nivel.
Projekti është ende në fazat e hershme.
Catherine Howarth nga Universiteti Aberystwyth, që është një nga drejtueset e projektit, ka thënë se shkencëtarët janë duke analizuar në detaje përbërjen kimike të miellit të bardhë.
Ajo ka thënë se rritja e vlerave ushqyese në nivelet e bukës integrale duke ruajtur shijen dhe cilësinë e bukës së bardhë do të jetë mjaft sfidues.
“Ne duam të zbulojmë saktësisht se cilat vitamina dhe minerale humbasin gjatë procesit të bluarjes. Duke përdorur drithëra të tjera ne mund të rrisim nivelet e hekurit, zinkut dhe vitaminës dhe më e rëndësishmja përmbajtjen e fibrave, sepse buka e bardhë ka shumë pak fibra, gjë që është kaq e rëndësishme për shëndet të mirë”, u shpreh Howarth.
Në fazën përfundimtare parashihet testimi i bukës së re të bardhë te njerëzit për të parë nëse mund ta dallojnë nga buka integrale.
Shpresohet që buka e bardhë me cilësi të lartë të jetë në pikat e shitjes pas dy vjetëve.
Sipas Shoqatës Britanike të Diabetit (BDA), rreziku i sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru dhe diabeti i tipit 2 mund të jetë deri në 30 për qind më i ulët te njerëzit që hanë rregullisht drithëra integrale. Rreziku i kancerit të zorrëve gjithashtu mund të reduktohet.
BDA-ja ka thënë se 95% e të rriturve nuk hanë mjaftueshëm drithëra integrale dhe gati një në tre nuk hanë fare.