Universiteti Bedër në bashkëpunim me programin e Bashkimit Evropian Connecting Theory and Practical Issues of Migration and Religious Diversity (COREnet) dhe institucionin akademik ndërkombëtar ICORECEA, organizon konferencën ndërkombëtare mbi emigrimin dhe diversitetin fetar e kulturor.
Kjo konferencë do të mbledhë 110 akademikë dhe studiues nga 31 vende të ndryshme të botës, të cilët përfaqësojnë institucione me famë botërore si Universiteti i Oksfordit, Universiteti i Winchesterit, Shkolla Ekonomike e Londrës, Universiteti i Barcelonës, Universiteti i Tilburgut, Université de Lausanne, Universiteti Sapienza i Romës, Universiteti i Montrealit, Universiteti i Helsinkit, Universiteti i Bergenit, Universiteti i Nevadas, Universiteti i Fribourgut, Universiteti Lille, etj.
Konferenca e cila do të zhvillohet gjatë datave 25-27 prill 2024 në ambientet dhe auditorët e Universitetit Bedër do të fokusohet në sfidat e emigrimit, diversitetin fetar dhe kohezionin social në Evropë dhe më gjerë.
Ajo do të jetë një platformë dinamike për diskursin shkencor, duke nxitur dialogun dhe inovacionin në fusha të ndryshme studimi.
Konferenca është një dëshmi e përkushtimit të Universitetit Bedër për nxitjen e partneriteteve ndërkombëtare në fushën akademike.
Ndërsa pjesëmarrësit do të përfshihen në diskutime të drejtpërdrejta dhe do të shkëmbejnë ide, ata do të kontribuojnë gjithashtu në avancimin e njohurive dhe promovimin e mirëkuptimit dhe diversitetit ndërkulturor në shkallë globale, si një pasuri që duhet ruajtur.