Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se vlera e marrëveshjeve ndërkombëtare që po presin ratifikimin në Kuvend, kap shifrën e 300 milionë eurove.
Murati ka shkruar se së shpejti do të dërgojnë për ratifikim edhe marrëveshjen me Bankën Botërore që është në vlerë të 90 milionë eurove.
“Janë 300 milionë euro shumë totale në formë të marrëveshjeve ndërkombëtare që tash e disa muaj po presin ratifikimin në Kuvend. Së shpejti do të dërgojmë për ratifikim edhe marrëveshjen me Bankën Botërore në vlerë 90 milionë euro. Pra do të bëhen 390 milionë euro marrëveshje ndërkombëtare të cilat presin votën e deputetëve të Kuvendit”, ka shkruar Murati në Facebook.
Ai ka shtuar se përveç marrëveshjeve financiare, ka edhe të tjera si Konventa për Importin e Përkohshëm, marrëveshje për sigurime sociale, apo të tilla si Evropa Digjitale, marrëveshje këto të cilat lehtësojnë të bërit biznes e përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Kujtojmë se votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare ka dështuar disa herë radhazi si pasojë e mungesës së konsensusit pushtet – opozitë.
Si pasojë e mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, ministrat disa herë kanë refuzuar t’u përgjigjen pyetjeve të deputetëve.