Bashkimi Evropian tha të premten se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është urgjente, ndërsa u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet e deritashme. Në terren udhëheqësit e të dyja palëve akuzuan njëri tjetrin në distancë për dështim në përmbushjen e tyre.
Kosova dhe Serbia u morën vesh me 19 prill të vitit 2013 për themelimin e Asociacionit, ndërsa në vitin 2015 u pajtuan për parimet e tij. Por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Në tetor të vitit të kaluar, diplomatët evropianë dhe amerikanë u dorëzuan palëve një projekt statut të Asociacionit. Udhëheqësit e të dyja vendeve i thanë po në parim dokumentit, por gjërat nuk kanë lëvizur nga vendi. Themelimi i tij është pjesë e marrëveshjes së arritur mes tyre më 27 shkurt të vitit të kaluar në Bruksel dhe me 18 mars në Ohër.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha të premten se çështja e Asociacionit, është një prej çështjeve thelbësore dhe urgjente dhe dështimi për ta zbatuar atë “nënkupton pasoja për Kosovën”.
Ai theksoi po ashtu se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian janë dokumente të vlefshme dhe të detyrueshme për të dyja palët.
“Nëse palët nuk i përmbushin detyrimet e tyre, atëherë do të ketë pasoja serioze. E të vetmit që do t’i ndiejnë këto pasoja, do të jenë njerëzit të cilët ata pretendojnë se po i mbrojnë. Të vetmit, pra, që do të paguajnë çmimin për mos zbatimin e detyrimeve, do të jenë qytetarët në Kosovë dhe në Serbi”, tha ai.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç i quajti të premten “gënjeshtarë” Prishtinën dhe Bashkimin Evropian për mosthemelimin e Asociacionit, duke kujtuar se marrëveshja është nënshkruar 11 vjet më parë.
“Njëmbëdhjetë vjet terror dhe gënjeshtra të udhëheqjes së Prishtinës dhe Bashkiit Evropian së bashku”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shkroi ndërkaq se, marrëveshja e vitit të kaluar “në njërën anë, sjell njohjen reciproke de facto dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e në anën tjetër, përmes nenit 7, adreson gjetjet e Gjykatës Kushtetuese ndaj ‘Asociacionit’.
“Nuk mund të flasim e diskutojmë vetëm për ‘Asociacionin’: pa e pranuar dhe respektuar Marrëveshja Bazike me Aneksin e Zbatimit, pa përfshirë të gjitha 39 marrëveshjet e dakordimet në Bruksel dhe pa konstatuar që marrëveshja e vitit 2013 është shkelur dhe vijon të shkelet nga Serbia, kurse vazhdimi i saj i vitit 2015 është rrëzuar në Gjykatë Kushtetuese”.
Autoritetet në Serbi që janë vënë në një fushatë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, thonë se argumenti kryesor është “mosthemelimi i Asociacionit”.
Të martën Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi raportin për anëtarësim të Kosovës në këtë këshill, duke i hapur rrugën vendimit që duhet të merret në muajin maj në Këshillin e Ministrave të 46 vendeve anëtare të organizatës. Ndonëse në raport nënvizohet se themelimi i Asociacionit duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, vendet e “Quint-it”, siç njihet pesëshja kryesore perëndimore e përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, e shohin çështjen e këtij anëtarësimi si një mundësi për të ushtruar trysni mbi qeverinë e kryeministrit Albin Kurti rreth kësaj çështjeje.
Kosova akuzon Serbinë për shkelje të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve duke kundërshtuar anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, me gjithë zotimin se nuk do ta bëjë këtë. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha te premten se Serbia është faktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai e bëri këto komente ndërsa Forcat e Armatosura Serbe po kryenin stërvitjet vjetore në një poligon ushtarak në rajonin e Novi Pazarit në jug të Serbisë.
“Ata sot do të bëjnë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë dhe vendi ku do të bëhen këto ushtrime, përveç se është 30 kilometra larg kufirit të Kosovës, është vetëm 3 kilometra larg kufirit të Serbisë me Malin e Zi. Kjo është edhe një dëshmi që Serbia është autoriteti, instanca, faktori e aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe paraqet kërcënim edhe për Republikën tonë, që ata nuk e njohin, por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve në rajonin tonë”, tha kryeministri Kurti.
Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, thanë se komandanti i KFOR-it Ozkan Ulutas, ndoqi nga afër stërvitjet në Serbi, për të cilat Serbia e kishte njoftuar misionin e tij.
Në një njoftim paraprak KFOR-i tha se vazhdon të zbatojë mandatin e tijpër të ofruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
“KFOR-i gjithashtu vazhdon të vëzhgojë të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe qëndrueshmërinë rajonale, dhe mban një prani të dukshme dhe të përshtatshme në terren për të trajtuar të gjitha rastet, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së”, thuhej në komunikatë.
NATO-ja vendosi shtimin e trupave në Kosovë vjeshtën e kaluar pas një sulmi në veri të Kosovës nga një grup serbësh të armatosur, që vrau një oficer policie, duke nxitur shqetësimin për qëndrueshmërinë në rajon.
Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore, ndërsa Serbia e mbështetur nga Rusia kundërshton shtetësinë e saj. Ndonëse e ka shpallur anëtarësimin në Bashkimin Evropian si aspiratë të saj, Serbia ruan lidhje të ngushta me Moskën dhe nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër saj për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Kremlinit ndaj pretendimeve të Beogradit mbi Kosovën.