Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si “shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut ndalimin e qindra qytetarëve të Kosovës nga autoritetet kufitare në Serbi.
Përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter, Kurti tha se qytetarët që kanë mbetur të bllokuar që nga mëngjesi në kufijtë e Serbisë me Kroacinë dhe Hungarinë, “janë privuar nga ushqimi dhe ilaçet”.
“Një ditë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi në favor të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, Serbia u kundërpërgjigj ndaj civilëve kosovarë. Që nga mëngjesi i sotëm, më shumë se 300 qytetarë – përfshirë fëmijë – janë ndaluar në mënyrë arbitrare në kufi, duke u privuar nga ushqimi dhe ilaçet. Shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut”, shkroi Kurti në X.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe ajo e Punëve të Brendshme e Kosovës më herët gjatë 17 prillit u bënë thirrje qytetarëve që me “çdo kusht” të shmangin kalimin nëpër Serbi.
MPJD tha se autobusë të Kosovës, me udhëtarë nga Kosova, janë bllokuar në dy pikëkalime kufitare të Serbisë me Kroacinë dhe në një pikëkalim kufitar me Hungarinë.
Kjo ministri tha se udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve.
“Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje”, u tha në njoftim.
Kjo ministri tha se këto veprime janë ndërmarrë në shenjë hakmarrjeje ndaj votës në Këshillin e Evropës një ditë më parë, por po ashtu autoritetet serbe kishin paralajmëruar se do të arrestonin shtetas të Kosovës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 14 prill paralajmëroi se çdokush që shkel rendin kushtetues të Republikës së Serbisë “do të arrestohet dhe ndiqet penalisht”.
Ai i bëri këto deklarata teksa foli për arrestimin e Sreqko Sofronijeviqit nga autoritetet në Kosovë.
MPJD i është drejtuar faktorit ndërkombëtar për bllokimin e shtetasve të Kosovës në territorin serb, ndërkaq zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, po ashtu njoftoi se për situatën e ka njoftuar edhe ndërmjetësin evropian të dialogut, Mirosllav Lajçak.
“Kjo është përgjigja e Serbisë dhe hipokrizia karshi respektimit të të drejtave të njeriut nga një shtet që aktualisht është anëtar i Këshillit të Evropës. Veprime të tilla edhe një herë dëshmojnë rënien e demokracinë dhe politikën e tyre të vazhdueshme të agresionit”, shkroi Bislimi në X.
Edhe në të kaluarën, qytetarët të Kosovës që kalojnë përmes Serbisë kanë hasur në probleme, me disa prej tyre që janë arrestuar nga autoritetet serbe nën dyshimet për krime lufte. /Rel/