Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha se nuk ka besuar kurrë se do të vijë një ditë që të flas në Kuvendin e Kosovës për rëndësinë e raporteve Kosovë-SHBA.
Lideri i opozitës, Kadri Veseli, tha se për vetëm një muaj qeverisje, Albin Kurti nuk ka ndërmarrë asgjë në politikat e brendshme, në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, ndërsa për kaq pak ditë qeverisje, po e rrezikon edhe shembjen e investimit historik në marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Nuk e kam besuar se do të vinte një ditë si kjo, që në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të flisnim në këtë mënyrë për rëndësinë e raporteve tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk e kam besuar as që për vetëm pak ditë – kjo Qeveri do të krijonte kaq shumë paqartësi, kaq shumë frikë qytetare dhe dilema shtetërore. Jo se kam pasur ndonjë iluzion në këtë koalicion qeverisës. Por, kam besuar se nuk do të harrohet asnjëherë rruga dhe çmimi që na kanë sjellë deri këtu”, tha Veseli.
Sipas tij, sjelljet e kryeministrit aktual po e rrezikojnë miqësinë e shenjtë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
“Dhe, më e rënda, mbase edhe për shkak të dogmave ideologjike personale – po sakrifikohet qytetari dhe shteti, në vend se të sakrifikohej dogma – për ta ruajtur qytetarin dhe shtetin. Pas një muaji shqetësimesh, të ditëpërditshme, kulmi po arrihet me paralajmërimet e fundit për Kosovën nga partneri ynë më i madh strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për tërheqjen e trupave ushtarake dhe suspendimin e programeve zhvillimore në vlerë prej qindra miliona dollarësh”, tha Veseli.