Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve do të marrë pjesë në takimet pranverore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilat mbahen në Washington DC. Këto takime mbledhin ministrat e financave, guvernatorët e bankave qendrore, përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare financiare, përfaqësuesit e sektorit privat si dhe shoqërisë civile të mbi 100 shteteve në mbarë botën.
Njëra ndër pikat kryesore të këtyre takimeve do të jetë edhe nënshkrimi i marrëveshjes për Financimin e Politikave Zhvillimore për Politikën Fiskale, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore, që i sjellë Kosovës mbi 90 milionë euro me kushte të buta financimi.
Gjithashtu, me ftesë të Drejtoreshës Menaxhuese për Operacione të Bankës Botërore, Ministri Murati do të marrë pjesë në tryezën e diskutimeve ministeriale me temë “zbatimin e projekteve për rezultate më të shpejta dhe ndikim më të madh”.
Gjatë qëndrimit në Washington DC, Ministri Murati pritet të takojë edhe përfaqësues nga menaxhmenti i lartë i Bankës Botërore dhe FMN-së, si dhe institucioneve tjera që marrin pjesë në këtë ngjarje.