Pas 30 ditësh agjërimi, besimtarët myslimanë me përfundimin e Ramazanit, sot kremtojnë festën e Fitër Bajramit, raporton Ekonomia Online.
Manifestimi qendror për festën e Fitër Bajramit është mbajtur në Xhaminë e Madhe të Prishtinës.
Në fjalen e tij në Xhaminë e Madhe, myftiu Tërnava tha se sot duhet të lutemi për shëndet e solidaritet.
Në shenjë të kësaj zoti thotë ‘vetëm mirësisë së zotit dhe mëshirës së tij le t’i gëzohen’. Le t’i gëzohemi kësaj dite duke uruar e vizituar njëri-tjetrin për këtë festë. Të lutemi për shëndet e mirëqenie, solidaritet e siguri, duke u lutur që zoti mos të na ndajë asnjëherë nga mëshira e tij.
Ai më pas foli për rolin e familjes, duket kjo si fjalë pas debateve të fundit lidhur me shëndetin riprodhues.
“Botërisht është i njohur qëndrimi i islamit për shumimin e njerëzve. Zoti krijoji Ademin dhe Havan, babanë dhe nënën e njerëzimit, prej tyre pastaj mundësoi shumimin e krijimin e familjeve, fiseve e popujve të ndryshëm”, tha Tërnava.
“Familja është element kyç dhe i parë ndërtues, bërthama bazë e formimit të një shoqërie. Mirëqenia e saj nënkupton mirëqenien e gjithë shoqërisë. Feja jonë islame i ka kushtuar vëmendje të madhe familjes. Familja kërkon lumturinë dhe stabilitetin. Ndërton jetën e saj mbi themelet e forta. Shtyllë themelore e strukturës shoqërore”, tha ai.
“Kushdo prej nesh që përcjell diskutimet e debateve të fundit për aprovimin e disa ligjeve rreth familjes, sheh këto përpjekje bien në ndeshje me identitetin fenë, e ligjet morale. Përpjekjet janë për shkatërrimin e familjes. Zhdukjen apo dobësimin e moralit të lartë që bart ky popull. Synohet një shoqëri që jeton pa ndjenja për familjen”, tha ai.
“Si Bashkësi Islame e Kosovës jemi të shqetësuar me numrin e vrasjeve e vetëvrasjeve. Zoti thotë ‘ai që ka vrarë një njeri është sikur ta ketë vrarë krejt njerëzimin’. Kërkohet nga ne të mobilizohemi duke përfshirë të gjitha mekanizmat në parandalimin e këtyre dukurive. Nëse qëndrojmë pasiv, vetëvrasjet e vrasjes mes nesh do të jenë fatale për ardhmërinë tonë”
Në Bashkësinë Islame të Kosovës gjatë ditës do të bëhet edhe pritja e zakonshme për liderët institucionalë e fetarë.