Sivjet, nuk do të mbahet Festivali Folklorik mbarëkombëtarë “I Këndojmë lirisë”, në Klinë, për shkak të pandemisë COVID-19. Këtë vendim për anulimin e festivalit, e ka marrë Kuvendi Komunal i Klinës, në një mbledhje të asamblesë komunale. Ndërkaq, sivjet ishte viti jubilar i mbajtjes së këtij festivali, sepse pikërisht para dy dekadave filloi organizimi i këtij festivali, që përkon me ditëlindjen e Komandantit të shquar të UÇK-se, Mujë Krasniqit-Kapuçit.
Ky festival për çdo vit është mbajtur më 6, 7 dhe 8 qershor. Por, si nisi rrugëtimi i tij? Para 20 vjetëve kur në Kosovë akoma ndihej erë baroti. Lufta kishte përfunduar, liria ishte fituar, por pasojat ndiheshin kudo, në çdo cep të Kosovës, gjithçka duhej nisur nga e para. Plagët akoma kullonin gjak, toka e Kosovës akoma nuk ishte terur nga gjaku i derdhur. Lufta kishte lënë pasoja, me të vrarë, të plagosur, të zhdukur, shkatërrime e djegie të shtëpive nga okupatori barbar serb. Armiku ishte dëbuar nga trojet tona, falë trimërive heroike të pjesëtarëve të UÇK-së, me përkrahjen e Amerikës mike e miqve tjerë ndërkombëtarë. Armiku ishte shporrur duke lënë kockat në tokën e Arbrit. Por, Liria është e shtrenjtë, ashtu ishte paguar. Për të kishin rënë luftëtarët, për mos të vdekur kurrë. Kujtohen brez pas brezi. Me pushkë e me këngë edhe në front, kishin rënë me këngë në gojë. Armiku aq sa i frikësohej pushkës, po aq i frikësohej, këngës, çiftelisë, plisit. Në gjithë këtë aromë lirie në Klinë nisi Festivali mbarëkombëtar folklorik “I Këndojmë Lirisë”.
Para 20 vjetëve, në ditëlindjen e Komandantit të shquar të UÇK-së Mujë Krasniqit-Kapuçit, Klina organizoi Festivalin e parë të Lirisë. Festivalin e bënë disa njerëz të luftës e të kulturës, bashkëluftëtarë të Komandant Mujës, për ta lartësuar figurën madhore të njërit nga komandantët më të shquar të UÇK-së. Kështu lindi ideja për Festivalin Folklorik gjithëkombëtar për t’u mbajtur çdo vit dhe për të filluar në vendlindjen dhe ditëlindjen e Komandant Kapuçit , më 6 qershor në Çabiq, të Kulla muze e Mujës, për të vazhduar për tri net radhazi, më 6, 7 e 8 qershor në qytetin e Klinës, ku i këndohet luftës së UÇK-së, veprës së lavdishme të Mujë Krasniqit, Komandantit legjendar Adem Jasharit. Festivali për çdo vit ka shënuar rritje, si për nga cilësia po ashtu edhe për nga masivizimi.
Kështu tash pothuajse për çdo vit marrin pjesë për tri net rreth 700 artistë. Në skenën e festivalit që 19 vjet u ngjitën rapsodë, valltarë, instrumentist nga të gjitha trojet etnike, me një kolorit veshjesh e kostumesh, nga tirqit galana të Drenicës, tirqit e bardhë të Rugovës e fustanella labe. Dhe çdo vit këtu vijnë grupe artistësh nga të gjitha trojet shqiptare, nga Kosova, Shqipëria, Tetova, Medvegja, Kërçova e Presheva, Çameria, Tuzi e Ulqin. Vijnë këtu edhe Arbëreshet e diaspora, duke u shndërruar kështu Klina në një log të këngës e të valles folklorike burimore nga të gjitha trevat shqiptare. Festivali ka karakter garues, kurse ndahen 15 çmime, kryesori është i “Mujë Krasniqit”, vendi i dytë, vendi i tretë, grupi më i kompletuar, veterani i festivalit, instrumentisti më i mirë, vallja më e mirë, koreografia më e mirë, e kështu me radhë. Për tri ditë juria profesionale për çdo vit ka vlerësuar garuesit. Këtu, gjatë rrugëtimit të Festivalit për çdo vit janë zhvilluar edhe aktivitete të tjera, promovime librash, tryeza shkencore, ekspozita, panaire me prodhime vendore bujqësore, artizanate dhe gara në disiplina të ndryshme sportive.
Sivjet, Klina është më varfër për një manifestim folklorik gjithëkombëtar, por festivali sërish do t’i kthehet Klinës, pasi që të kaloi kjo pandemi.
Ndërkaq, që nga fillimi i mbajtjes së festivalit, për çdo vit botohet edhe revista “Lyra”, në të cilën pasqyrohet krejt aktiviteti që zhvillohet gjatë mbajtjes së festivalit