Ndalohen punimet në një objekt në Hajvali, po kryheshin punime pa pajisje mbrojtëse

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se janë ndaluar punimet në një objekt në Hajvali pasi që kanë identifikuar se aty po kryheshin punime pa pajisje të nevojshme të sigurisë në vendin e punës duke e vënë në rrezik jetën e njerëzve.

Prokuroria ka iniciuar rast ndaj një personi juridik përgjegjës për këtë rast.

“Në vendin e ngjarjes ka dalë Koordinatori për rastet e veprave penale që ndërlidhen me sigurinë në vendin e punës njëherësh prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, prokurori kujdestar, Inspektorati i Punës dhe policia me njësitë përkatëse, ku nga vendi i ngjarjes kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin e pasojave të mundshme gjatë punës dhe sigurinë në punë, si dhe parandalimin e veprës penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’, nga neni 358 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Po ashtu thuhet se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rast ndaj personit përgjegjës si person juridik, në drejtim të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’, nga neni 358 të Kodit Penal të Kosovës.

Në njoftim thuhet se me vendim të Inspektoratit të Punës janë ndaluar punimet në këtë objekt deri në një vendim të radhës.