Ata që pinë kafe më pak të rrezikuar nga kanceri i zorrëve


Njerëzit me kancer të zorrëve që pinë dy deri në katër filxhanë kafe në ditë kanë shumë më pak gjasa që t’u kthehet sëmundja, ka zbuluar një hulumtim.

Njerëzit me këtë sëmundje që konsumojnë atë sasi kafeje kanë gjithashtu shumë më pak gjasa të vdesin, tregoi studimi, i cili sugjeron se kafeja ndihmon ata që janë diagnostikuar me llojin e dytë të kancerit më vdekjeprurës në Mbretërinë e Bashkuar.

Ekspertët kanë thënë se gjetjet ishin “premtuese” dhe shtuan se, nëse studime të tjera tregojnë të njëjtin efekt, 43,000 britanikë në vit të diagnostikuar me kancer të zorrëve mund të inkurajohen të pinë kafe. Sëmundja merr rreth 16,500 jetë në vit – 45 në ditë, raportoi Guardian.

Një studim i 1,719 pacientëve me kancer të zorrëve në Holandë nga studiues holandezë dhe britanikë zbuloi se ata që pinin të paktën dy filxhanë kafe kishin një rrezik më të ulët të përsëritjes së sëmundjes. Efekti ishte i varur nga doza – ata që pinin më shumë ishin në rrezik më të ulët.

Pacientëve që pinin të paktën pesë filxhanë kafe kishin 32% gjasa më pak se ata që pinin më pak se dy filxhanë t’u kthehej sëmundja, thuhet në studimin e “World Cancer Research Fund”.

Ata që pinë të paktën dy filxhanë kafe në ditë kanë më pak rrezik të vdesin në krahasim me ata që nuk pinë.

Studimi është i fundit që tregon se kafeja ul rrezikun e kancerit. Tashmë ka prova të forta që ul rrezikun e kancerit të mëlçisë dhe mitrës dhe disa prova se e bënë të njëjtën gjë për kancerin në gojë, laringut dhe lëkurës.

Shfaqja e kafesë si mbrojtëse e mundshme kundër kancerit është e jashtëzakonshme sepse deri në vitin 2016 Organizata Botërore e Shëndetësisë e klasifikoi si “kancerogjene të mundshme” para se ta ndryshonte mendjen për shkak të provave që nuk mundën ta mbështesnin këtë pretendim.