Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë takimit që e pati sot me ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, thotë se e informoi mbi atë se çfarë u trajtua në takim kryenegociatorësh në Bruksel dje, fokus i së cilës shprehet se ishte Marrëveshja Bazike dhe Aneksi Implementues i Ohrit dhe formalizimi sa më i hershëm.
“Bislimi shtoi se për ne marrëveshja është valide në tërësinë e saj, gjë të cilën ambasadori Hovenier e konfirmoi nga pozicioni i tij. Njëkohësisht, zëvendëskryeministri e informoi ambasadorin se delegacioni i palës tjetër ritheksoi gjatë takimeve të djeshme qëndrimin e Serbisë kundër zbatimit të marrëveshjes dhe rrjedhimisht edhe formalizimit të saj”, thuhet në kumtesën për media të zyrës së kryeministrit.
Sa i përket rregullores së BQK-së, tutje bëhet e ditur se Bislimi e informoi Hovenierin që diskutimi nuk është zhvilluar rreth dinarit apo rregullores, e cila nuk është çështje për diskutim apo kontestim, por rreth mënyrës së zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.
“U trajtuan edhe një sërë temash të tjera që janë diskutuar gjatë takimit të djeshëm, duke përfshirë artefaktet që Serbia duhet t’i kthejë Kosovës, si dhe shkeljet që po i bëjnë në disa marrëveshje si ajo e energjisë dhe telekomunikacionit, apo në rastin e tentimeve të vazhdueshme të bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, për çka ambasadori Hovenier shprehu qëndrimin e SHBA-së kundër tentativave të tilla”, thuhet tutje në njoftim.