Presidentja Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në Samitin e tretë të Demokracisë që është mbajtur në Republikën e Koresë.
Osmani në këtë samit ka folur në emër të Kosovës.
Ajo tha se vendi ka bërë hapa të rëndësishëm në avancimin e sundimit të ligjit në përputhje me strategjinë e miratuar gjithëpërfshirëse kombëtare, një nga rezultatet më të rëndësishme në kuadër të zotimeve tona në Samitin për Demokraci.
“Ne kemi dëshmuar gjithashtu edhe përkushtimin tonë ndaj standardeve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit, duke miratuar Deklaratën kundër ndalimit arbitrar në marrëdhëniet ndërshtetërore; duke u bërë pjesë e Deklaratës së Parimeve për ta luftuar represionin transnacional së bashku me gjashtë vende të tjera demokratike, në tetorin e kaluar; si dhe duke punuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara drejt avancimit të përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar manipulimin e informacioneve nga ndonjë shtet i huaj”, tha Osmani.
“Me barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në themel të të gjitha zotimeve tona, ne kemi punuar me të gjitha institucionet dhe me shoqërinë civile për ta luftuar dhunën me bazë gjinore, për t`i fuqizuar gratë ekonomikisht dhe për ta forcuar rolin e tyre në institucionet publike dhe politike”, theksoi ajo.
E para e shtetit paralajmëroi edhe organizimin në Prishtinë të edicionin e dytë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që do të mbahet në muajin prill.
“Në këtë edicion, ne do të fokusohemi jo vetëm në partneritetet dhe dialogun për ta ndërtuar paqen e qëndrueshme përmes sigurimit të përfaqësimit më të madh të grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes. Jam e lumtur ta ndajë me ju lajmin për themelimin e Qendrës së parë Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Ballkanin Perëndimor, në partneritet me Zyrën e Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, në përputhje me Strategjinë për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 2023 të SHBA-ve, si dhe Planin Kombëtar të Veprimit”, tha Osmani.