Ekziston pajtueshmëria për një pjesë të propozimit amerikan në lidhje me çështjen e dinarit, ka njoftuar të hënën presidentja Vjosa Osmani.
Ajo ka shtuar se për pjesën tjetër do të ishte ideale që të kishte pajtueshmëri në midis palëve në Bruksel, në takimin e radhës që pritet të mbahet më 19 mars, në nivel të kryenegociatorëve.
“Deri tani ka pajtim për një pjesë të propozimit nga ajo që jam e informuar deri më tani dhe nuk ka pajtim për një pjesë tjetër. Është shumë pozitive që komuniteti ndërkombëtar në krye me SHBA-në pajtohen që të mos të ketë qarkullim të dinarit më në Kosovë dhe edhe me ndihmën e tyre kemi arritur që tash e tutje edhe ato dërgesa edhe ajo ndihmë financiare që vjen nga Serbia, pra tash e tutje të arrijë në euro dhe jo në dinar. Dhe kjo mendoj që e zgjidhë një pjesë të madhe të problemit me të cilin jemi ballafaquar në të kaluarën, sepse çështja ka qenë sit ë zbatohet neni 11 i Kushtetutës që kërkon që në Kosovë të ketë vetëm një valutë e ajo është euroja”, ka thënë ajo gjatë vizitës së saj në Komunën e Lipjanit.
Për pjesën e dytë të propozimit, ajo ka thënë që Kosova po shqyrton mënyra për të garantuar që ndihma që niset prej Serbisë për komunitetin serb në Kosovë, të mos shkojë në duar të gabuara.
“Tash pjesa e dytë për të cilën akoma nuk ka pajtim por unë jam shpresëplotë se edhe te ajo pikë do të arrijmë shumë shpejt është se si duhet të sigurohemi që çdo ndihmë financiare që vjen nga Serbia të mos të shkoj në duart e personave që kanë abuzuar, që janë korruptuar dhe i kanë marrë paratë kinse në emër të qytetarëve, por i kanë shfrytëzuar për korrupsion e krim të organizuar dhe për atë pjesë është ende duke u hartuar një plan që do të involvojë institucionet Republikë së Kosovës përfshirë edhe ato ligjzbatuese”, është shprehur ajo.
Sipas saj, çështja e dinarit duhet të zgjidhet sa më shpejt pasi Kosova ka probleme më të mëdha.
“Dhe përkundër sfidave unë jam e bindur që për këtë çështje jo vetëm që do të arrihet por është e domosdoshme që të arrihet pajtim. Më e mira do të ishte sikurse të arrihej në Bruksel sepse është nesër takimi, do të ishte e mirëseardhur që ky pajtim të arrihej në Bruksel dhe në qoftë se jo në Bruksel është urgjente që kjo çështje të zgjidhet sepse jo vetëm që zgjidhet dhe ju ndihmon qytetarëve që të tejkalojnë disa prej sfidave me të cilat ballafaqohemi, por në të njëjtën kohë të jemi shumë të sinqertë, Kosova ka probleme shumë më të mëdha ndër të tjera problemet e sigurisë, sigurimi i kufirit nga Serbia e cila vazhdimisht mendon se si ta sigurojë Kosovën kështu që secili prej nesh duhet të ulemi bashkë me aleatët tanë përfshirë aleatin kryesor, SHBA-në dhe të sigurohemi që mbrohet çdo pëllëmbë e territorit tonë dhe çdo qytetar i Republikës sonë. Për ta arritur këtë duhet të punojmë bashkë me aleatët dhe kjo nuk është një gjë që ka dikush në Kosovë që nuk e di. Secili qytetarë I Republikës së Kosovës e di këtë fakt kaq të qartë, që për ta mbrojtur Kosovën, kufijtë e saj sigurinë e saj, ne duhet të bashkëpunojmë me aleatët e saj të sigurisë”, ka thënë ajo.