Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, konfirmoi të premten se është afër finalizimit të disa marrëveshjeve të mëdha për pasuri të paluajtshme në Shqipëri dhe në Serbi.
Kompania e Kushnerit, Affinity Partners, është në bisedime të avancuara me dy vendet ballkanike për investime në prona turistike në vlerë mbi 1 miliard dollarë, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Kushner, i cili ishte zyrtar i lartë në Shtëpinë e Bardhë, tha në një intervistë për Bloomberg News se firma e tij me bazë në Majami synon ta shndërrojnë ishullin më të madh të Shqipërisë, Sazan, në Detin Mesdhe, në një destinacion luksoz për turistët.
Në Shqipëri, ai gjithashtu synon t’i ndërtojë disa hotele dhe qindra vila në Ishullin Zvërnec, një zonë bregdetare në Vlorë, në jug të Shqipërisë.
“Jemi shumë të ngazëllyer. Ne ende nuk i kemi finalizuar këto marrëveshje, prandaj mund të mos ndodhin, por jemi duke punuar zellshëm dhe jemi shumë afër”, tha Kushner.
Në Serbi, ai synon t’i shndërrojë tri blloqe të braktisura banesore në qendër të kryeqytet Beograd në një hotel luksoz, me hapësirë komerciale dhe më shumë se 1.500 rezidenca.
Planet e Kushnerit në Ballkan duket se janë bërë pjesërisht përmes marrëdhënieve të krijuara gjatë kohës sa Trumpi ishte president.
Ai tha se ka punuar rreth këtyre marrëveshjeve me Richard Grenellin, i cili shërbeu si i dërguar special i Shteteve të Bashkuara për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe shkurtimisht si ushtrues i detyrës së drejtorit të inteligjencës kombëtare në kohën e Donald Trumpit.
Gazeta amerikane New York Times raportoi se projekti i parë në Shqipëri dhe ai në Serbi përfshijnë tokë të kontrolluar nga qeveritë përkatëse, që nënkupton se atij do t’i duhet t’i finalizojë marrëveshjet me qeveritë e huaja.
Grenelli krijoi lidhje të çmueshme sa ishte në qeverinë amerikane, përfshirë disa të cilat duket se i kanë hapur rrugën ekipit të Kushnerit për investime në Ballkan, sipas gazetës amerikane.
Kushneri dhe Ivanka Trump e vizituan Shqipërinë dy herë prej se Trumpi u largua nga Shtëpia e Bardhë.
Ata udhëtuan atje së bashku me Grenellin dhe madje u takuan me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Kushner shërbeu si këshilltar i lartë në Shtëpinë e Bardhë dhe pasi u largua nga puna, ai e themeloi firmën Affinity, e cila ka asete në vlerë 3.1 miliardë dollarë.
Firma e tij është mbështetur nga investitorët e Lindjes së Mesme që gëzojnë mbështetje shtetërore, përfshirë me rreth 2 miliardë dollarë nga Fondi për Investime Publike i Arabisë Saudite.
Firma e tij synon të investojë edhe në energjinë e rinovueshme, në qendrat e të dhënave dhe në inteligjencën artificiale. /rel/