Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka folur sot rreth raportit të publikuar nga inteligjenca amerikane, e cila parasheh një konflikt ndëretnik në Ballkanin Perëndimor, gjatë vitit 2024.
Kurti tha se ka qenë e qartë që fqinji ynë verior (Serbia), është agresive dhe që paraqet rrezik për sigurinë në rajon.
Këto komente shefi i qeverisë i bëri pas përurimit të Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike, e cila funksionon në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Konfliktet nuk janë nder-etnike, nuk është dallimi etnik ai që shkakton konflikt por është autokracia në Beograd e ndërlidhur me despotizmin në Moskë. Ne kemi paralajmëruar kaherë që shtetet jo demokratike edhe në rajonin tonë jo vetëm ne lindje të Evropës janë në rrezik për sigurinë dhe paqen por natyrisht që këtë gjë hollësisht dhe thellësisht sikurse SHBA nuk mund ta di askush. Ajo çfarë bëjmë ne është që ne përgatitemi maksimalisht atë çka mundemi dhe dimë, andaj përuruam këtë Qendër Shtetërore për Siguri Kibernetike për trajnime të cilat do të merren dhe do të ofrohen aty”, tha Kurti .