Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar mësimdhënësit në ditën e tyre, 7 Marsin.
Përveç urimit, Abdixhiku ka premtuar rritje të koeficientit që nga viti i parë nëse vjen në qeverisje.
Sipas tij në vitin e parë, koeficienti do të jetë 125, ndërsa në vitin e fundit të mandatit, 135.
“LDK e ka prioritet trajtimin dinjitoz të mësimdhënësve. Në programin politik “Rruga e Re”, parasheh ngritje të koeficientit për mësimdhënësit, nga 125 në vitin e parë, në 135 në vitin e fundit të mandatit”, thuhet në njoftimin e LDK-së në Facebook.
Postimi i plotë:
Urime Dita e Mësuesit!
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku për nder të Ditës së Mësuesit, 7 marsit, uron dhe falënderon të gjithë mësimdhënësit për kontributin e tyre të çmuar, ndër breza.
Kjo ditë është e një rëndësie të veçantë, sepse kujtohet roli dhe kontributi i jashtëzakonshëm i mësimdhënësve, të cilët detyrën e tyre fisnike; edukimin e arsimimin, nuk e ndalën as në momentet më të rënda të vendit.
LDK e ka prioritet trajtimin dinjitoz të mësimdhënësve. Në programin politik “Rruga e Re”, parasheh ngritje të koeficientit për mësimdhënësit, nga 125 në vitin e parë, në 135 në vitin e fundit të mandatit.
Puna e juaj fisnike, duhet të trajtohet me dinjitet edhe në aspektin financiar!